Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në lokalet e natës. Finalizohet operacioni antidrogë “Frekuentuesit”. Operacioni nga Antidroga në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.1. Arrestohen në flagrancë tre persona. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë dhe 3.7 kg pluhur i dyshuar përzierës për Kokainën. Në bazë të planit të masave të hartuar nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve në DVP Tiranë, në kuadër të goditjes dhe dokumentimit ligjor të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shpërndarjes dhe përshtatjes për përdorim droge të lokaleve të natës, klubeve, tallavave në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, u finalizua me sukses operacioni policor antidrogë i koduar  “Frekuentuesit”, ku u kapën dhe u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim,  shtetasit: M. I., 35 vjeç, banues në Tiranë, G. XH., 43 vjeç, banues në Tiranë, E. F., 22 vjeç banues në Tiranë. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, është marrë informacion në rrugë operative se në rrugën “Budi”, Tiranë, në katin e parë të një pallati, ndodhet një ambient, ku në bazë të informacioneve dyshohej se persona të ndryshëm e frekuentonin këtë ambient duke tregtuar dhe pirë lëndë narkotike Kokainë. Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni, duke ushtruar kontroll në ambjentet e lokalit, ku si rezulat këtyre shtetasve iu gjetën disa doza me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, si dhe nga kontrolli i mëtejshëm i ambienteve u gjet dhe u sekuestrua dhe 3.7 kilogramë pluhur i dyshuar përzierës për Kokainën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe prova të tjera ligjore që do shërbejnë për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale të shpërndarjes së drogave të forta. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të cilët janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Vlorë – Kundërshtojnë me dhunë punonjësit e policisë, vihen në pranga 4 shtetas. Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në një lokal afër Portit të Vlorës, punonjësit e Policisë kanë shkuar për të bërë shoqërimin e shtetasit A. C., 36 vjeç, për veprime të mëtejshme, si i dyshuar për një vepër penale. Në momentin që punonjësit e policisë do kryenin shoqërimin e shtetasit A.C, kanë ndërhyrë për t’i penguar shokët e këtij shtetasi të cilët kanë kundërshtuar me dhunë shoqërimin e shokut të tyre në Polici, duke dëmtuar fizikisht punonjësit e policies, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në ndihmë të punonjësve të policisë kanë shkuar shërbimet e tjera të policisë, të cilat kanë bërë shoqërimin e personave në ambientet e Policisë. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. C 36 vjeç, banues në Vlorë, D. M., 25 vjeç, banues në Vlorë, S. N., 23 vjeç, banues në Vlorë, K. M., 22 vjeç, banues në Vlorë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 1 rast, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja e mbetur në tentativë, në qarkun Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në, si dhe janë plotësuar 4 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 1 në Dibër, 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organzimi i lotarive të palejuara”, në Gjirokastër, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.