Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Mirditë / Informacion paraprak-Rreth orës 02:30, në aksin rrugor “Milot – Tuneli Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze”, Rrubik, ka ndodhur një aksident automobilistik.Shtetasi M.B. duke udhëtuar në këtë aks rrugor me automjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, ku mjeti është përplasur me mbrojtëset metalike anësore të rrugës.Për pasojë kanë humbur jetën dy pasagjerët që ndodheshin në mjet, konkretisht shtetasit M.Ç. 31 vjeç, dhe D.Gj. 30 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa drejtuesi i mjetit shtetasi M.B. 35 vjeç, ndodhet në Spitalin e Traumes Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.Grupi hetimor vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Cërrik/Informacion paraprak-Rreth orës 01:30, në fshatin Shtërmen, Cërrik, është djegur pjesërisht automjeti tip “Benz”, i parkuar përpara banesës së shtetasit S. S.,  66 vjeç, pronar i këtij automjeti. Grupi hetimor po vijon punen për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Më datë 19.08.2022, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës për vlerësim, pasi shtetasi B. H., 58 vjeç, banues në Tiranë, më datë 15.08.2022,  dyshohet se është vetëplagosur me mjet prerës (thikë), në Prishtinë. 58-vjeçari ka marrë fillimisht mjekim në spitalin e Prizrenit dhe më datë 19.08.2022  është transportuar me ambulancë në spitalin e Kukësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Kukës / Tentuan të trafikonin armë zjarri dhe municion luftarak, drejt Kosovës, vihen në pranga 6 shtetas.Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Rrugëtimi”.Operacioni, i shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër.Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe shuma parash.Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit apo të mbajtjes së tyre pa leje, pas një hetimi disamujor, për një grup shtetasish që trafikonin armë zjarri drejt Kosovës, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Rrugëtimi”.Në kuadër të këtij operacioni të shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër, në bashkëpunim me  Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, u arrestuan në flagrancë shtetasit:-Rr. S., 28 vjeç, banues në Dibër; B. SH., 24 vjeç, banues në Bulqizë; B. N., 33 vjeç, banues në Durrës; U. H., 27 vjeç, banues në Dibër; H. H., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe K. B., 61 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën  penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e jashtme të një pike karburanti, me 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock”, sasi municioni luftarak, si dhe me shuma prej 222.000 lekësh dhe 710 eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Kosovës.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

Fier / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.Finalizohet pas një hetimi dyjavor, nga Komisariati i Policisë Fier, operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshpan 2”.U kap duke vaditur bimët narkotike, të mbjella në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, vihet në pranga 34-vjeçari, shpallet në kërkim kushëriri i tij.Asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa.Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, nga toka dhe ajri, duke përdorur edhe dronë. Si rezultat i një hetimi dyjavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “Kreshpan 2”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 34 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi B. M., 33 vjeç, të dy banues në Kreshpan (të afërm të njëri-tjetrit), për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.Si rezultat i këtij operacioni, shtetasi E. M. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke vaditur bimët narkotike, të kultivuara në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, në fshatin Kreshpan. Nga hetimet rezulton se bashkëpunëtor i tij në këtë veprimtari kriminale është shtetasi B. M., i cili u shpall në kërkim nga shërbimet e Policisë. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Packed”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.Me rreth 750 gramë kokainë në çantë, të gatshme për ta shitur në kryeqytet, vihen në pranga 2 shtetas.Sekuestrohen lënda e dyshuar narkotike kokainë dhe 3 aparate celulare.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduara “Packed”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:- A. (M). B., 59 vjeç, dhe I. R., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.Në rrugën “5 Maji”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit  A. (M). B. dhe I. R. Gjatë kontrollit të çantës së paketimit që mbante me vete shtetasi I. R., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 750 gramë.Nga verifikimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike kokainë, e ndanin atë në doza, të cilat i shisnin më pas në rrugën “5 Maji”, në zonën e quajtur “Xhamlliku” dhe në zonën e Selvisë, në Tiranë.Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 117 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 23 janë arrestuar, 84 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste,njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste, me 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, dhe me 23 të tjerë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autorë në kërkim, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 8 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, prej tyre 5 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e tokës/pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë 2 shtetas të arrestuar dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 4 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarreve.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 18 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar gjithashtu:

-1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Dhunimi i banesës” dhe “Fyerja”, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Njoftimi i rremë i organeve të rendit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me 2 shtetas të vënë në pranga, si dhe

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë;

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 4 shtetas të arrestuar, si dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.