Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 2 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Sekuestrohen 27 kg cannabis sativa, vihen në pranga 2 shtetas. Në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë parandaluar dhe goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale u bë e mundur që në një nga rrugicat e qytetit të Vlorës të lokalizohej automjeti i dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike dhe falë ndërhyrjes në kohë u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. J., 38 vjeç, banues në Tiranë dhe F. D., 32 vjeçe, banuese në Belsh, Elbasan. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Voslkwagen” me drejtues shtetasin E. J. dhe pasagjere shtetasen F. D., Policia gjeti në bagazh dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 27 kg lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën këta shtetas do ta transportonin drejt Tiranës, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Vlorës, në ngarkim të shtetasve E. J. Dhe F. D., për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Elbasan/ Informacion paraprak – Rreth orës 11:00, shtetasi B. L., 34 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet në gjendje të rënduar psikologjike, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, ka goditur portën hyrëse të DVP Elbasan dhe ka hyrë në oborrin e DVP-së, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar të dhënë nga punonjësi i Policisë që kryente shërbim në hyrje të DVP-së. Ky shtetas, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara, por është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga shërbimet e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimit dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim. Procedohen penalisht edhe 3 shtetas sirian. Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, të shtetasit sirian M. A., 29 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 18.6 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa. Në vijim të veprimeve hetimore u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit” edhe shtetasit sirian R. H., A. M. dhe M. L. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. L., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dhuna në familje”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në banesë, ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të tij. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” i shtetasit H. T., 33 vjeç, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, ndaj nënës dhe vajzës së tij të mitur. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Gj. L., 40 vjeç, pasi tek rrethrrotullimi i TEG-ut është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.58 mg/l; E. C., 40 vjeç, pasi në rrugën “Jordan Misja” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l; M. S.,53 vjeç, pasi në rrugën “Donald Trump” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.61 mg/l. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë është kapur dhe ndaluar shtetasi S. G., 46 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

OFL, 2 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve Z. M., banues në Kukës, i dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda” dhe B. A., banues në Kukës, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 6 raste të “Kanosja”,  2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.