Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 2 prill 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Pllana”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Forcën Operacionale në DVP Lezhë. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 26 kilogramë kanabis sativa, 1 automjet dhe 2 aparate celularë. Një ditë më parë, gjatë një tjetër operacioni policor antikanabis, të koduar “Heat”,  u godit një ambient që ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, si rezultat i të cilit u vu në pranga pronari i banesës. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po transportonin lëndë narkotike me automjetin e tyre, në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Milot, shërbimet e Policisë Lezhë, organizuan menjëherë punën duke bërë të mundur lokalizimin  dhe ndalimin e automjetit të dyshuar tip “Mitsubish” për kontroll, në fshatin Pllanë, Lezhë. Si rezultat i kontrollit, brenda mjetit me drejtues shtetasin A. M., dhe pasagjer shtetasin E. G., u gjetën 3 thasë plastmasi ngjyrë e zezë, të mbushura me material bimor të dyshuar lëndë narkotike, ku pas peshimit total të tyre rezultoi 26 kilogramë pesha e tyre. Në vijim të operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 26 vjeç  banues në Kurbin dhe E. G., 22 vjeç banues në Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja  e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan  lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe 2 aparatet celularë. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime mëtejshme.

Kuçovë – Zbardhet dhe dokumentohet nga Komisariati i Policisë Kuçovë, vjedhja e një shume parash dhe disa bizhuterive në një banesë. Vihen në pranga autori i dyshuar dhe përkrahësi i tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi D. Ç., për vjedhjen e një shume parash dhe disa bizhuterive në banesën e tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i punës hetimore, bazuar në provat ligjore të grumbulluara, brenda një kohe të shkurtër u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve L. M., 21 vjeç dhe E. B., 27 vjeç, të dy banues në Kozare, Kuçovë. Shtetasi L. M. dyshohet se gjatë natës ka hyrë në banesën e shtetasit D. Ç., ku ka vjedhur një shumë parash dhe disa bizhuteri. Më pas, shtetasi E. B. e ka transportuar shtetasin L. M., me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, jashtë qytetit të Kuçovës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një portofol me një shumë parash, disa bizhuteri, dy telefona dhe 1 automjet. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të metejshme procedurale

DVP Vlorë – Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin F. L., 22 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, për shtetasin L. A., 68 vjeç, banues në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, pasi dyshohet se i ka pushtuar një sipërfaqe toke (truall), shtetasit B. S., 56 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 27 janë arrestuar në flagrancë, 48 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste: 1 rast i veprës penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, me 1 shtetas të ndaluar; 2 raste të veprës penale “Vrasja me dashje”, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim, ndërsa rasti tjetër i kësaj vepre penale rezulton me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Kanosja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 4 raste, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë, 1 të ndaluar, 1 të shpallur në kërkim dhe  dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 15 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, për të cilat vijon puna intensive nga ana e strukturave policore, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”, për të cilat janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 15 raste, prej këtyre janë 6 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, 2 raste kanë mbetur në tentativë, me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë, ndërsa 7 rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, me 3 të arrestuar në flagrancë dhe me 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim.

Për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mashtrimi”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 3 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Njëri nga këto raste rezulton me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna intensive nga ana  e strukturave të Policisë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë, 1 të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Kallëzimii rremë” me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë.

Gjithashtu është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Dhunimi i banesës”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, i cili rezulton me autorë të paidentifikuar dhe për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, për të cilat është shënuar 1 viktimë dhe 7 shtetas të tjerë të dëmtuar, të cilët marrin asistencë mjekësore. Janë evidentuar në total 13 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 13 shtetas të arrestuar dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.