Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 2 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohet reth 14 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa. Ndalohet poseduesi i lëndës narkotike. Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasit A.G., 21 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë, në afërsi të stanit të tij, u gjet një sasi rreth 14 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet për shtetasin e mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Policia Rrugore e Lezhës godet një tjetër rast të mitëdhënies. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. L., 19 vjeç, banues në Firence, Itali, i cili i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative. Ky shtetas në aksin rrugor Thumanë – Milot, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me Radar dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin një kartëmonedhë të prerjes 50 euro, me qëllim shmangien e masës administrative. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Tiranë – Policia Rrugore e Tiranës godet një rast tjetër të mitëdhënës. Në funksion të patrullimeve dhe kontrolleve me përzgjedhje për personat që drejtojnë mjetet pas përdorimit të alkoolit, dhe shkeljet e tjera që janë burim i shtuar për aksidente, rrugoret e kryeqytetit po vijojnë patrullimet dhe verifikimet e shtuara në të gjithë territorin, ku vetëm gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar ne kushtet e flagrancës 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 4 të papajisur me leje drejtimi dhe 1 për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pezulluar 40 leje drejtimi nga të cilat 6 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 30 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 4 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, janë proceduar administrativisht 42 drejtues mjetesh për qarkullim me mjete me xhamat e parë të errësuar, janë proceduar administrativisht 6 drejtues mjetesh për sisteme shtesë pamore dhe zanore, janë vendosur 1 250 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia Rrugore apelon për kujdes të shtuar në fundjavë dhe më shumë durim nga të gjithë përdoruesit e rrugës, kryesisht nga drejtuesit e mjeteve që kane si destinacion zonat bregdetare, të cilët duhet të zgjedhin orare dhe rrugë alternative të përshtatshme, jo pikun e trafikut, dhe të shmangin sa të mundin rrugët në të cilat po bëhen punime të ndryshme.

Sarandë – Policia e Shtetit vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e  posaçëm të masave, për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore. Finalizohet operacioni “Plazh i lirë”, zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Komisariati i Policisë Sarandë, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier, në bashkëpunim edhe me Bashkinë Sarandë. Policia e Shtetit liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 4000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga disa shtetas. Policia ka proceduar penalisht 3 pronarë subjektesh, të cilët ushtronin aktivitet në kundërshtim me ligjin dhe kishin zaptuar hapësirat publike në interes të tyre. Gjatë ditës së sotme, si rezultat i operacionit janë hequr nga Policia rreth 960 shezlongë, çadra e tavolina, duke iu kthyer hapësira e plazhit pushuesve. Në vijim, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë proceduar penalisht 3 pronarë subjektesh në Ksamil dhe konkretisht: P. I., banues në Ksamil, pasi në subjektin e këtij shtetasi, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 600 shezlongë, çadra e tavolina, që shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa leje nga Bashkia, F. P., banues në Ksamil. Në subjektin e këtij shtetasi, janë bllokuar dhe sekuestruar rreth 200 shezlongë, çadra e tavolina, që ishin vendosur në një sipërfaqe pronë publike dhe pa lejen e Bashkisë, B. M., banues në Ksamil. Në subjektin e këtij shtetasi, është konstatuar se i gjithë aktiviteti tregtar është zhvilluar përgjatë gjithë kësaj kohë pa leje përkatëse nga Bashkia Sarandë dhe Policia hoqi rreth rreth 160 çadra, shezlongë e tavolina nga hapësira publike e zënë në mënyrë të kundërligjshme. Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve, çdo hapësirë publike, të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin. Materialet do t’i referohen Prokurorisë në ngarkim të secilit nga shtetasit e lartpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pushtimi i tokës”.

Pogradec – Zbardhet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në zonën industriale, ku u dogj një automjet tip “BMË X6”. Policia arreston në flagrancë një shtetas, si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me fakte ligjore të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 31.07.2019, ku në lagjen nr.1, u dogj automjeti tip “BMË X6”, në pronësi të shtetasit J.M., 46 vjeç, banues në fshatin Buçimas, informojmë se Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M.T., 33 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, si autor i dyshuar i zjarrvënies ndaj mjetit të 46-vjeçarit J.M. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, konkretisht: 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është ndaluar.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar  9 raste, konkretisht: 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë, ku autori po provedohet në gjendje të lirë; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 4 në Kor­çë, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në qarkun Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 në Gjirokastër dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjëndje të lirë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, 2 në Vlorë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin është evidentuar 1 rast aksidenti, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.