Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”.  Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Lezhë. Sekuestrohen rreth 1.2 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Vihet në pranga një 50-vjeçare, shpallet në kërkim ish-bashkëshorti i saj. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetases V. P., 50 vjeçe, banues në Ishull, Lezhë. Gjithashtu u shpall në kërkim ish-bashkëshorti i saj, shtetasi D. M., 52 vjeç, banues në Ishull, Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Mbi bazën e informacioneve të siguruara së në Ishull, Lezhë, këta shtetas posedonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në servisin në pronësi të shtetasit D. M., që ishte i përshtatur si banesë për ish bashkëshorten shtetasen V. P. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1.184 kg lëndë të dyshuar kokainë dhe një peshore elektronike. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

DVP Elbasan – Goditet një rast i ushtrimit të lotarive të palejuara, arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.  Në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.  Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Si rezultat është konstatuar një subjekt që ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit. Arrestohet në flagrancë shtetasi A. L., 32 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ” Vënia në dispozicion e lokaleve për lojërat të palejuara”. Ky shtetas, në lagjen “Sporti”, Gramsh, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. M. (i cili është proceduar penalisht në gjendje të lirë), ushtronte këtë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit të ushtuar në ambientet e lokalit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një aparat celular me faqe sportive të hapura, ku ishin të vendosura biletat me ndeshje, një laptop dhe 62.700 lekë që dyshohet se janë përfituar nga biletat e vendosura për loto. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin A. J., 19 vjeç,  banues në Elbasan, pasi ka goditur dhe kundërshtuar punonjësin e Policisë, për shkak të detyrës. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 35 vjeç, banues në Përrenjas,  pasi në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, në gjendje të dehur është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin Q. B., dhe për pasojë janë plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.

Fier – Policia kap dhe ndalon 2 shtetas të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim M. S., 21 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 03.11.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur”. Gjithashtu, në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, kapën dhe ndaluan shtetasin A. M., 46 vjeç, banues në Ballsh. Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 09.10.2020, e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Korçë – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe bizneseve. Zbardhen dhe dokumentohen tri vjedhje, vihet në pranga autori i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e tri ngjarjeve të ndodhura ditët e fundit në qytetin e Korçës, që bëjnë fjalë për vjedhjen në dy banesa dhe në një lokal, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të tyre, shtetasin M. M., 26 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vjedhje). Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet se në lagjen nr. 18, ka vjedhur në lokalin bar-kafe të shtetasit O. G., dy televizorë plazma, një modem, një aparat dixhital; në banesën e shtetasit E. Ç., ka vjedhur një televizor, si edhe në lagjen nr. 12, në banesën e shtetasit M. M., ka vjedhur një televizor. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.

Tiranë – Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 20-vjeçari. Sekuestrohen dy armë zjarri dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. M., 20 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri automatik dhe një krehër me 21 fishekë. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Shkeli urdhrin e mbrojtjes dhe kërcënoi me thikë bashkëshorten e tij, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë u vu në pranga 41-vjeçari i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në Yrshek, në ambientet e banesës, shtetasi Ç. M. kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga Gjykata për bashkëshorten e tij dhe po ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, si dhe po e kërcënonte atë me thikë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Shërbimet e Policisë kanë prangosur shtetasin Ç. M., 41 vjeç, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilën ky shtetas e kërcënonte për ta vrarë bashkëshorten e tij. Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim kombëtar. Kapen dhe ndalohen 3 persona të shpallur në kërkim. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër, për veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar, nga Sektori i Operacionales, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit B. M., 47 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit personal ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur”, kryer në bashkëpunim, ”Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe ”Grupi strukturuar kriminal”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Financiar dhe Ekonomik në DVP Tiranë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit L. Gj., 34 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4,  u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Xh. Q., 23 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe evidentimin e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme, në rrugën “Llazi Miho” ka goditur një tjetër rast duke kapur dhe vënë në pranga shtetasin E. D., 24 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe iu sekuestruan një sasi lënde e dyshuar heroinë, 22 tableta metadon dhe një shumë e konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasi A. Sh., 35 vjeç, pasi iu gjet me vete një sasi lënde e dyshuar heroinë. Tiranë/Informacion paraprak – Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Princ Vidi”, dyshohet se persona të paidentifikuar ende kanë vjedhur disa sende dhe bizhuteri në banesën e shtetases Z. S., 55 vjeçe, e cila jetonte vetëm në banesë. Vijojnë veprimet me grupin hetimor për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autoreve.  Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 18.11.2020 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim E. M.,23 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Hysni Gerbolli”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin P. B, 21 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shkodër – Kundërshtoi punonjësit e Policisë dhe dëmtoi mjetin e tyre të punës, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari.  Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër u bë u arrestimi në flagrancë i shtetasit E. V., 37 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ka qenë duke lëvizur me mjet në lagjen Perash, Shkodër, në afërsi të “Urës Dervishbeg” dhe pasi shërbimet e Policisë Rrugore i kanë vendosur masë administrative për parkim të gabuar në korsinë e biçikletave, ai ka thyer xhamin e mjetit të Policisë dhe në momentin e shoqërimit ka kundërshtuar forcat e Policisë së Rendit Publik.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 1 rast i “Kanosja”; 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Berat; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste: 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 3 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Gjirokastër, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste te “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Shkodër dhe 2 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.