Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 mars 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga Qeveria Shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin. Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 74 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Po gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, konkretisht në Berat shtetasi P. H., 44 vjeç, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të Policisë për shoqërim dhe në Elbasan shtetasi I. A., 56 vjeç, pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë sportive pistoletë pa leje. Gjithashtu, në Bulqizë janë proceduar penalisht shtetasi U. T., drejtues motomjeti dhe pasagjeri T. T., për drejtim motomjeti në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi dhe kundërshtim e mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë. Gjatë mbrëmjes së djeshme nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë pas orës 18:00, 10 shtetas, konkretisht 9 shtetas në Durrës dhe 1 në Tiranë, të cilët qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara, pa ndonjë shkak apo arsye dhe për këtë u ndëshkuan me masën administrative 10.000 lekë. Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 46 shtetas, konkretisht: 6 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 38 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, me 1 autor që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, në Shkodër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 2 në Korçë dhe 2 në Berat.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 3 raste aksidentesh në të gjithë territorin, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.