Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 17 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Durrës – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet në flagrancë poseduesi i armës. Bien në prangat e Policisë dhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. G., 19 vjeç, banues në Fllakë. Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënvlashit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke vjedhur biçikletën e shtetasit D. B. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit: P. M., 58 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin tip “Peugeot”, në gjendje të dehur; E. M., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjendje të dehur, është përplasur me një tjetër mjet duke shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon operacioni “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike. Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar 5 muaj më parë nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 shtetas, ka vijuar puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi Sh. B., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale. Nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit  Kompjuterik u bë kapja dhe u ekzekutua urdhri i prokurorit për shtetasin në kërkim Sh. B., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndryshimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Mashtrimi kompjuterik”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro. Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 34 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste: 5 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ne Fier, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuat 1 rast i ”Heqja e paligjshme e lirisë”, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

 Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.