Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Receiver”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Reklamonte dhe tregtonte radio policie, në një faqe në rrjete sociale, vihet në pranga 28-vjeçarja. Sekuestrohen radio si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Receiver”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases M. Gj., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjatë kontrollit të ushtruar në një automjet për shërbime postare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pako, brenda së cilës kishte 15 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo pako ishte dërguar nga shtetasja M. Gj., e cila i reklamonte dhe i shiste këto radio, që dyshohet se janë futur kontrabandë, në një faqe online, dhe dërgesat i bënte nga shërbime postare, veprimtari të cilën nuk e kishte regjistruar pranë organeve kompetente. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 15 radiot. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Dibër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vapori”. I morën me dhunë një shumë parash, një shtetasi, falë reagimit në kohë, veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, si dhe ndjekjes së pandërprerë, në kuadër të operaconit “Vapori”, Policia kap dhe arreston brenda pak orësh 2 autorët e dyshuar. Sekuestrohet shuma e parave 364.000 lekë të rinj, që i morën me dhunë 62-vjeçarit, si dhe automjeti me të cilin u larguan autorët e dyshuar. Pas marrjes së njoftimit se në sheshin “Vapori”, në qytetin e Peshkopisë, dy shtetas të paidentifikuar kishin zbritur nga makina dhe i kishin marrë me dhunë një shumë parash shtetasit M. Gj., 62 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në trup, dhe më pas ishin larguar me shpejtësi me automjet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe ata të Komisariateve të Policisë Dibër dhe Bulqizë, janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve të dyshuar. Si rezultat i reagimit në kohë, punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit të strukturave të Policisë, u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar dhe lokalizimi i automjetit me të cilin ata po qarkullonin. Në kuadër të operacionit policor “Vapori”, shërbimet e Policisë bënë të mundur që pas disa orësh ndjekjeje, të kapnin, në aksin rrugor Peshkopi-Bulqizë, 2 autorët e dyshuar, të cilët udhëtonin me një mjet tip “Fiat”, në të cilin, gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe shumën e parave (364.000 lekë të rinj), që i morën me dhunë shtetasit M. Gj. Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar: G. S., 25 vjeç, banues në Dibër dhe A. T., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Krujë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Bruz-Mali”. U kap në flagrancë duke vaditur bimët narkotike, vihet në pranga 20-vjeçari. Asgjësohen me anë të djegies 124 bimë të dyshuara cannabis sativa, të kultivuara në një zonë të pyllëzuar. Në vijim të kontrolleve intensive të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe në bazë të informacioneve të grumbullara në kuadër të procedimit penal të referuar nga Policia e Krujës në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Bruz-Mali”. Në kuadër të operacionit u bë kapja në flagrancë e 20-vjeçarit E. E., duke vaditur 124 bimë të dyshuara narkotike, të kultivuara në një zonë të pyllëzuar, në territorin e fashtit Bruz – Mal, Krujë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit E. E, 20 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë. Bimët narkotike janë asgjësuar nga shërbimet e Policisë, me anë të djegies. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të metejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Muriqan, Shkodër – Kontrolle të shtuara në pikat e kalimit kufitar, me qëllim kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shërbimet e PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit më Interpol Tirana, kanë vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar A. K. 32 vjeç, lindur në Kazakistan dhe banues në Gjermani. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme bënë ndalimin e këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij në Gjermani, pasi Gjykata Lokale e Kempten, Gjermani, me vendimin e datës 27.04.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelje e ligjit për narkotikët”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë. Në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane po kryhen veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi, në Gjermani.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste, me autorë që po procedohen penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve mjedisore, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 raste të “Goditja për shkak të detyrës”, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, më 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 të peoceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evdientuar 11 raste, 4 prej tyre me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mashtrimit janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të proceduar penalisht dhe 1 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të ndaluar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ngacimi seksual”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.