Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin, Lezhë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Zheja”. Goditet një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin. Sekuestrohen armë zjarri, lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës. Vihen në pranga 2 shtetas. Në zbatim të një ndër prioriteteve, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta shitur, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të “Zheja”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. (K.) Rr, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, në ngarkim të J. Rr. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ”, kryer në bashkëpunim, për shtetasin E. Rr.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbikalimi”, për parandalimin e vjedhjes së pronës dhe zbulimin e atyre të ndodhura më parë. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore Tiranë, pas një pune operative disamujore për parandalimin dhe zbardhjen e disa vjedhjeve. Arrestohet në flagrancë një 19-vjeçar, në tentativë për të vjedhur aksesorët e një mjeti. 19-vjeçari që përdorte një mjet të vjedhur dhe targa të vjedhura tentoi të largohej, por u prangos gjatë ndjekjes në mbikalimin e Casa Italia-s. Zbardhen dhe 7 vjedhje të tjera të subjekteve dhe kompanive private, të kryera në harkun kohor 7-mujor, në bashkëpunim me disa persona të tjerë dhe vijon puna për kapjen e tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të gjurmimit për identifikimin e autorëve të disa vjedhjeve të kryera në harkun kohor të 7 muajve të fundit, rreth orës 03:30, në rrugën “Sokrat Miho”, tek pallatet “Fratari”, kanë konstatuar një djalë, në tentativë për të vjedhur në një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit M. K. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke i bërë thirrje të riut për të ndaluar, por 19-vjeçari është larguar me shpejtësi me një automjet “BMW”. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje duke bërë të mundur bllokimin e mjetit bashkë me personin, tek mbikalimi përballë Casa Italia-s. Nga verifikimet e momentit rezultoi se mjeti drejtohej nga shtetasi E. M., 19 vjeç, banues Kamzë, Tiranë, ndërsa automjeti me të cilin ai qarkullonte ishte vjedhur në Elbasan dhe targat ishin vjedhur në Durrës. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për krimet e rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, u bë e mundur zbardhja e një sërë vjedhjesh, të dyshuara se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë dhe vijon puna për kapjen e tyre, konkretisht: Më datë 17.06.2019, gjatë orëve të natës në autostradën Tiranë – Durrës, kanë vjedhur një shumë lekësh të xhiros ditore në ambientet e subjekti në administrim të shtetasit G. S.;Më datë 01.07.2019, gjatë natës, në rrugë dytësore Kashar, kanë vjedhur me thyerje zyrat e një kompanie në administrim të shtetasit B. Rr, ku kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi të konsiderueshme produkte ëmbëlsirash; Më datë 17.08.2019, në orët e vona të mbrëmjes, në Fushë Mëzez, kanë vjedhur me thyerje shoqërinë në administrim të shtetasit I. L, ku kanë marrë rreth 100 kg materiale bronzi; Më datë 10.11.2019, në orët e para të mëngjesit në rrugën “Ali Kelmendi”, kanë vjedhur zyrën e financës së një shoqërie në administrim të shtetasit O. Q, ku kanë marrë shumën e xhiros ditore prej 400000 lekësh, duke kanosur me leva në duar rojet e sigurisë; Po më datë 10.11.2019, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Ali Kelmendi”, kanë tentuar të vjedhin zyrat e një biznesi tjetër, në administrim të shtetasit A. P.; Më datë 15.12.2019, në orët e para të mëngjesit, në Fushë Mëzez, në autostradën Tiranë-Durrës, kanë vjedhur në ambientet e një biznesi ne administrim të shtetasit A. B., një sasi aparatesh celulare të markave të ndryshme. Në bashkëpunim me prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre personave. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të bashkautorëve të tjerë të këtyre vjedhjeve, për të cilët nuk bëjmë me dije të dhëna për arsye hetimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim”, ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Vjedhja” e mbetur në tentativë.
Port, Durrës – Policia Kufitare bllokon në port pasaporta, karta identiteti, karta shëndeti dhe karta banke të falsifikuara. Vihet në pranga 42-vjeçari, drejtues i autobusit ku u gjetën të fshehura dokumentet e falsifikuara. Goditja, në kuadër të operacionit policor “Start”, zhvilluar nga Policia Kufitare e Portit Durrës, në bashkëpunim Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës. Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në zbatim të planit operacional policor “Start” kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në autobusët në dalje të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit të imtësishëm në vijën e dytë, në autobusin me drejtues shtetasin R. M, 42 vjeç, banues në Shijak, poshtë timonit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura 4 pasaporta çeke, 4 karta identiteti çeke, 2 leje drejtimi automjeti çeke dhe 2 karta bankare dhe shëndeti çeke, të dyshuara të falsifikuara. Në përfundim të veprimeve, specialistët për hetimin e trafiqeve të paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.
Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1 operacioni policor i koduar “Lenovo”. Kapet dhe ndalohet një 34-vjeçar, si autor i dyshuar i tri rasteve të vjedhjes së pajisjeve elektronike në dyqane të ndryshme të kryeqytetit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëfilltë hetimore, finalizuan operacionin policor të koduar “Lenovo”, në kuadër të të cilit kapën dhe ndaluan shtetasin E. C., 34 vjeç, banues në Tiranë. Bazuar në provat e grumbulluara, informacionet e mara në rrugë operative dhe veprimeve hetimore të kryera, specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimit bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të tri rasteve të vjedhjes së pajisjeve elektronike (laptop) nga ky shtetas, në dyqane të ndryshme të kryeqytetit, konkretisht: Më datë 30.12.2019 ka vjedhur një laptop, në dyqanin e një qendre tregtare; Më datë 10.01.2020 ka vjedhur një laptop, në një dyqan në rrugën “Luigj Gurakuqi“; Më datë 13.01.2020 ka vjedhur një laptop, në një dyqan në Rrugën e Durrësit. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.
Berat – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet operacioni policor “Vëzhgimi”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat. Sekuestrohen 16.5 gr. heroinë, 1 peshore elektronike dhe 8 pilula metadon. Vihet në pranga një person dhe një tjetër shpallet në kërkim. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta heroinë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas përpunonin dhe shpërndanin lëndë narkotike të dyshuar heroinë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vëzhgimi”. Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Barrikada”, në Berat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. I., 26 vjeç, banues në Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 35 vjeç, banues në Berat, i cili mundi të largohej në momentin ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. I. dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 16.5 gramë lëndë narkotike heroinë, një peshore të vogël elektronike dhe 8 pilula metadon. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 raste i “Kanosja”, në Shkodër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 2 në Kukës; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 3 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 2 autorë që po procedohen në gjende të lirë; 1 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autori është ndaluar, si dhe 10 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste, 4 në Tiranë, 5 në Durrës dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër.
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 7 në Tiranë dhe 2 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.