Berat – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet operacioni policor “Vëzhgimi”

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat.

Sekuestrohen 16.5 gr. heroinë, 1 peshore elektronike dhe 8 pilula metadon.

Vihet në pranga një person dhe një tjetër shpallet në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta heroinë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas përpunonin dhe shpërndanin lëndë narkotike të dyshuar heroinë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vëzhgimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Barrikada”, në Berat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. I., 26 vjeç, banues në Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 35 vjeç, banues në Berat, i cili mundi të largohej në momentin ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. I. dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 16.5 gramë lëndë narkotike heroinë, një peshore të vogël elektronike dhe 8 pilula metadon.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ kryer në bashkëpunim.