Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Explode”, nga Komisariati i Policisë Vorë. Sekuestrohen 20 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol dhe 2 kapsolla detonatore me përcjellës elektrik. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në afërsi të Urës së Gjolës, po lëvizte një shtetas që dyshohej se kishte lëndë eksplozive, në çantën e tij, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explode”. Si rezultat i këtij operacioni, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vorë, në afërsi të Urës së Gjolës, është lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasi N. M., 51 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjatë kontrollit të çantës së shtetasit N. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 20 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol dhe 2 kapsolla detonatore me përcjellës elektrik. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të implikuar në të. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “House”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5. Kultivonin bimë narkotike në ambientet e banesës së tyre, vihen në pranga babë e bir. Sekuestrohen 2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “House”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: B. Q., 52 vjeç dhe R. Q., 23 vjeç (babë e bir), për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, në Babrru, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të mbjella në vazo, si dhe 2 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi i kultivonin bimët narkotike në banesën e tyre, e përgatitnin lëndën narkotike në doza, të cilat i shisnin më pas në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tepelenë – Kontrolle masive të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni antikanabis, i koduar “Procesi”. Gjenden dhe asgjësohen fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, gati për t’u kultivuar në një sipërfaqe toke të shpyllëzuar. Vihet në pranga autori i dyshuar i tentativës për kultivim.  Procedohet penalisht kryeplak i fshatit, për shpërdorim detyre.  Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, bazuar në informacione të marra në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Procesi”.  Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. S., 32 vjeç, banues në Memaliaj. Ky shtetas kishte shpyllëzuar një sipërfaqe toke në pyllin e fshatit Zhapokikë, Memaliaj, dhe po e përgatiste për të kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan. Gjatë kontrolli të ushtruar në banesën e shtetasit E. S. u gjet  dhe u sekuestrua një armë elektroshok, të cilin ky shtetas e mbante pa leje. Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. K., 66 vjeç, kryeplak i fshatit Zhapokikë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste, me autorë që po procedohen penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 3 prej tyre me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 17 raste të krimeve mjedisore, me 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, më 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 të peoceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ngacimi seksual”.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me  autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Janë evidentuar 2 rastë të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone dhe për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.