Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 janar 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kapshticë – Vijon kontrolli i imtësishëm i mjeteve dhe qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Sekuestrohen nga Policia Kufitare 25000 euro. Procedohen penalisht 2 poseduesit, të cilët nuk i deklaruan në kufi. Në vijim të kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare, shërbimet e Policisë Kufitare në P. K. K Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasin J. R., 46 vjeç, nga Memaliaj, rezident në Greqi dhe shtetasen bullgare D. D., 31 vjeçe, të cilët udhëtonin me mjetin e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, këtyre shtetasve iu gjet një sasi prej 25000 eurosh, të fshehura në trup, të cilat nuk i kishin deklaruar para autoriteteve. Veprimet në lidhje më këtë rast janë kryer nga specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në DVP Korçë, të cilët kanë filluar procedimin penal ndaj këtyre shtetasve.

Interpol Tirana – Një tjetër person i kërkuar ka rënë në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët. Kapet në Zvicër dhe ekstradohet në Shqipëri 43-vjeçari i dënuar me 6 vite burg. Nga specialistët e  ZQK Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Zvicra drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Glerian Hyseni, 43 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet burg, për veprën penale “Mbajtja pa leje e bombave, minave ose lëndëve plasëse”, e kryer në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë. Përshkrim i përmbledhur i ngjarjes: shtetasi Glerian Hyseni, në bashkëpunim me shtetasit Sh. Gj., A. M. dhe H. H., kundrejt pagesës dhe për qëllim fitimi arrinte të gjente sasi lëndësh plasëse që shpërthenin në distancë me anë të celularit, si dhe armë e municione të ndryshme luftarake.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 11 janë ndaluar dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 17 raste, 5 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Lezhë, 1 në Shkodër dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike është evidentuar 1 rast, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 3 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizmi i lotarive të palejuara”, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 6 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.