Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 dhjetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Goditet një tjetër rast i kultivimit të kanabisit me anë të llambave. Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Rent”. Gjatë operacionit, në katin e dytë të një pallati është zbuluar një apartament i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Sekuestrohet baza materiale elektrike që shërbente për kultivimin e kanabisit, me anë të ngrohjes. Shpallet në kërkim personi që kishte marrë me qira banesën dhe e kishte tjetërsuar për të ushtuar këtë veprimtarinë kriminale. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe zbulimin e ambienteve të përshtatura për kultivim të kanabisit me anë të llambave, pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rent”. Gjatë këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Durrës, nga kontrolli në banesën e marrë me qira nga shtetasi I. A., e cila ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, u gjetën dhe u sekuestruan 2 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa e tharë, e bërë gati për shitje, 110 vazo në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, 19 llamba dhe pajisje të tjera elektrike. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve polciore, shtetasi që kishte marrë me qira këtë apartament nuk është gjetur në banesë. Shtetasi I. A. është shpallur menjëherë në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Cërrik – Zbardhen dhe dokumentohen 3 raste të vjedhjeve në disa shkolla në Cërrik. Vihen në pranga 4 autorët e dyshuar. Sekuestrohen sendet e vjedhura në ambientet e shkollave dhe sendet që përdornin autorët për të kryer vjedhjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës, si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, kanë bërë arrestimin e shtetasve: Y. H., 17 vjeç, E. Xh., 16 vjeç, K. H., 14, vjeç dhe I. M., 17 vjeç, banues në fshatin Mollas, Cërrik. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje, tri shkolla të ndryshme, në fshatrat Linas, Selvijas dhe Mollas, në Cërrik. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende/pajisje të ndryshme që janë vjedhur në ambientet e shkollave, si dhe disa sende që përdornin autorët për të kryer vjedhjet. Materialet i kaluam Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi, mbajtja, shitja apo blerja pa leje e armëve të ftohta”.

Vlorë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një tjetër rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohen pajisje kompjuterike, lëndë e dyshuar narkotike dhe një shumë parash. Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit: B. S., 35 vjeç dhe E. F., 22 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë. Gjatë kontrollit në një ambient në lagjen “Pavarësia 3”, me pronar shtetasin B. S. dhe punonjës shtetasin E. F., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 pajisje kompjuterike të cilat dyshohet se shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit.     Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 aparat celular dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 11 janë arrestuar në flagrancë dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshmne penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 2 të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Durrës, 1 në Korcë dhe 1 në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje, në Berat; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 3 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1  autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”. Janë proceduar penalisht: 1 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 shtetas për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 për “Dhunimi i banesës”, 1 për “Kanosja për shkak të detyrës”, 1 për “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit” dhe 2 për “Prishja e qetësisë publike”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, për veprën penale “Mashtrimi në kredi”.

Në Vlorë dhe në Lezhë janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Pushtim toke”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 1 viktimë dhe 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.