Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. U kapën duke transportuar kundrejt shpërblimit 3 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Ndalohet edhe 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim, në kuadër të këtij operacioni. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve F. B., 23 vjeç dhe E. Sh., 37 vjeç, banues në Elbasan. Shërbimet e policisë rrugore kanë kapur në rrugën dytësore Rëmbec, Maliq, shtetasit e mësipërm duke transportuar me mjetin tip “Nissan”, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu po nga këto struktura, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim L. Ll., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 10.02.2021, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 6 janë arrestuar në flagrancë dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të ‘Kanosja”, 1 rast në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 rast në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste, 3 në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Fier dhe 3 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Shkodër, 1 në Kukës dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 për “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe  për “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Dibër dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Po në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 10 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe është proceduar penalisht 1 tjetër për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.