Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 dhjetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Përmet – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “OSUMI”. Sekuestrohen armë zjarri, drogë e municion luftarak. Arrestohet në flagrancë poseduesi. Në vijim të kontrollit të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër organizuan dhe finalizuan operacionin “OSUMI”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 35 vjeç, banues në fshatin Nikollarë, Skrapar, pasi në kufi me Skraparin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi i gjetën një armë zjarri tip pushkë 20, një armë gjahu pa leje, fishekë dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa rreth 2 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Tropojë – Kundërshtojnë me dhunë punonjësin e Policisë, arrestohen në flagrancë dy shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimet në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasit J. O., 21 vjeç, banues në Bajram Curri dhe M. N., 21 vjeç, banues në fshatin Lekurtaj, Tropojë. Arrestimi i tyre u bë pasi, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, gjatë kohës që janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tropojë pas përfshirjes në një konflikt me disa persona të tjerë, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësin e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 101 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 81 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, në të gjithë territorin, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Fier; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë dhe 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Dibër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Berat dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste, 4 në Tiranë, 4 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 13 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 5 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 4 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.