Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – 84 të proceduar për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës, 50 ndër ta, të arrestuar.
Në datë 11 Maj 2019, rreth orës 18:30 subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në Bulevardin” Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë e vijuan në rrugën “George W. Bush”, përballë institucionit të Parlamentit të Shqipërisë. Më pas tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, këtu pa marrë leje në organet kompetente. Gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas në rrugën “George W. Bush” si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe sidomos tek Kryeministria e Parlamenti me bomba molotov punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim. Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave molotov kanë mbetur të plagosur 16 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës. Në të gjitha ambientet e përmendura protestuesit si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme si tek dyert dhe ambjentet e Kryeministrisë, të selisë së Kuvendit, tek selia e seancave parlamentare, tek dyert e Ministrisë së Brendshme, kane thyer e shkaterruar ambientet e disa subjekteve private e publike, si dhe tek godina e Kryeministrise kane hedhur bojë ne pjesen e murit nga ana e Bulevardit. Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 50 persona, per kryerjen e veprave penale “Kundershtimi i punonjesit te policise se rendit publik”, “Goditje per shkak te detyres” “Prishja e qetesise publike”, “Shkaterrimit te prones me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lendet plasese, djegese dhe radioaktive”. Janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” 3 shtetasit G.B., F.N. e G.S., banues në Tiranë. Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 31 persona për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e persona të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Sarandë – Vlorë. Finalizohen me sukses dy operacione policore antidrogë të koduara “Shëndëllia” dhe “Kota”. Sekuestrohet në total 98 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Arrestohen në flagrancë 3 persona.
– Në Sarandë, u finalizua operacioni antidrogë “Shëndëllia”. Në kuadër të luftës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione në rrugë operative se dy shtetas dispononin lëndë narkotike në banesë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor antidrogë të koduar “Shëndëllia”. Gjatë operacionit në fshatin Shëndëlli, Policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas (babë e birë) K.Ll dhe F.Ll (48 dhe 18 vjeç), për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre Policia gjeti dhe sekuestroi 83 kilogramë lënde narkotike, si dhe disa kubikë ku dyshohet si ishin kultivuar fara cannabis sativa
– Në Vlorë, u finalizua operacioni antidrogë i koduar “Kota”.
Në kuadër të këtij operacioni Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë bërë të mundur bllokimin e një automjeti tip “Mercedes Benz” në aksin rrugorë “Lapardha-Kotë”, Vlorë, ku nga kontrolli i ushtruar në të u gjet një sasi lënde narkotike me peshë totale 15 kilogramë e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.
Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin G.H., 31 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorive respektive Sarandë e Vlorë për veprime të mëtejshme.
Fier-Plan masash për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe arrestohen në flagrancë 2 shtetas të tjerë. Dokumentohet vjedhja e 6 automjeteve tip “Benz” në qytetin e Fierit. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe mbajtjes nën kontroll të personave me precedent kriminal, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: A.N, 28 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” pasi gjatë orëve të natës, në vëndin e quajtur “Zogu i Zi”, është kapur duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen” me të cilin po transportonte shtetasin e shpallur në kërkim: A.H, 30 vjeç, banues në Vlorë. Shtetasi A.H ishte shpallur në kërkim nga Policia Vlorë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Në vijim të veprimeve hetimore, u bë dokumentimi i 6 vjedhjeve në qytetin e Fierit, ku autorët e dyshuar janë shtetasit A.H dhe A.N, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, në periudhën Janar-Prill 2019 kanë vjedhur 6 automjete tip “Benz”. Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të ushtruara, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin: H.M, 32 vjeç, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit në mjetin tip “Ford”, që drejtohej prej tij, u gjetën një palë pinca metal-prerës, një shkop bejzbolli material metalik, një palë dorashka dhe një xhup të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po në kuadër të kontrolleve të kryera, u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim për “Dhunë në familje”: E.F, 46 vjeç, banues në Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtjeshme proceduriale.
Pukë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. I shpallur në kërkim për Shitje të lendeve narkotike, kapet nga forcat policore Pukë. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, B. D. 36 vjeç, banues në Durrës. Ndalimi i tij u bë për llogari të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës e cila e kishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me vendim penal nr.279 datë 24.07.2018 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. për veprën penale të “Prodhim e shitje të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/1 të Kodit Penal. Ky shtetas iu dorezua strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.
-Devoll – Falë reagimit të shpejtë të Policisë, arrestohen në flagrancë 4 shtetas të cilët iu vodhën me dhunë 200 Euro dhe 2 celularë, dy shtetasve të huaj. Specialistët e Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Devoll bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: D.A, 19 vjeç , S.P, 17 vjeç, K.A, 22 vjeç, R.Sh, 21 vjeç, banues në Bilisht dhe në fshatin Pilur, Devoll. Këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, në afërsi të qytetit të Bilishtit, dyshohet se iu kanë vjedhur me dhunë 200 Euro dhe 2 aparatë celularë dy shtetasve të huaj. Ndërhyrja në kohë e Policisë, bëri të mundur kapjen e arrestimin në flagrancë si edhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 132 shtetas, nga këta: 66 janë arrestuar në flagrancë, 63 ndiqen në gjendje të lirë, 3 janë ndaluar.
Janë ndaluar 3 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 1 në Qarkun Tiranë dhe 1 në Qarkun Fier të dënuar për veprat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”; 1 në Qarkun Gjirokastër i dënuar për veprën penale“Dhuna në familje”.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, me 6 autorë të cilët po procedohen në gjendje të lirë, konkretisht: 2 raste në Tiranë dhe Elbasan për veprat penale “Kanosja” me 2 autorë; 2 raste në Tiranë, për veprën penale “ Plagosja e lehtë me dashje” me 2 autorë; 1 rast në Dibër për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” me 2 autorë.
Janë evidentuar 14 raste të veprës “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në Qarkun Gjirokastër me 1 autor i cili është ndaluar, 1 në Qarkun Tiranë me 1 autor i cili është arrestuar në flagrancë dhe 4 raste nga të cilat 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, me 4 autorë të cilët po procedohen në gjenje të lirë. Gjithashtu janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 1 rast në qarkun Tiranë ku autori është shpallur në kërkim. Për 8 raste të tjera në të gjithë territorin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Elbasan, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër, 1 në Korçë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas në qarkun Tiranë, 2 prej të cilëve drejtonin mjetin në gjendje të dehur dhe 1 shtetas tjetër drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Si edhe janë evidentuar 6 raste të tjera për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 3 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, konkretisht: 2 raste në qarkun Elbasan, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 rast në qarkun Korçë ku po punohet për identifikimin e kapjen e autorit dhe 1 rast në Vlorë ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.