Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Lalm i Ri”, për kapjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA. Kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.  Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.  Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mirorganizuar punën për kapjen e tij.  Në këtë kuadër është finalizuar me sukses operacioni policor “Lalm i Ri”, si rezultat i të cilit është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit E. P., 39 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Vrasja”, dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.  Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Thread”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Sekuestrohen 570 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, katër aparate celulare, dy automjete dhe 889.000 lekë të rinj, që dyshohen se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.  Vihen në pranga 2 shtetas.  Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se dy shtetas posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit dhe Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Thread”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. D., 19 vjeç dhe A. P., 62 vjeç, banues të dy në Tiranë.  Shërbimet e Policisë i kanë lokalizuar dhe kanë kapur në flagrancë këta dy shtetas, në bulevardin “Zhan D’Ark”, në momentin që po shkëmbenin lëndën narkotike me paratë, brenda automjetit të shtetasit A. P.  Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. D., pasi siguronte sasinë e lëndës narkotike në qytetin e Durrësit, e transportonte atë në Tiranë dhe ia shiste shtetasit A. P., i cili e shpërndante në doza të vogla në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e Bllokut, në Rrugën e Elbasanit dhe në afërsi të Piramidës.    Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 570 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, dy automjete, katër aparate celulare dhe 889.000 lekë të rinj, që dyshohen se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.   Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 23 janë arrestuar në flagrancë dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 2 raste të  “Kanosja”, 1 rast me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast me dy autorë të shpallur në kërkim; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të shpallur ën kërkim.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar/ndaluar dhe 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 4 raste me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone.

Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Shkatërrimi i pronës” dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fsheja e të ardhurave”.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”; 2 shtetas për veprat penale “ushtrimi i lalicencë i veprimtarive financiare” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”; 1 për “Ndotja e ajrit”; 2 për “Organizmi i lotarive të palejuara”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.