Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 mars 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Në zbatim të masave për moslejimin e grumbullimeve masive në ambiente të hapura apo të mbyllura, me qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dërguar një telegram të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe, për mbylljen e menjëhershme të lokaleve të natës, pubeve, diskove, palestrave e lokaleve ku ka grumbullimeve masive. Në zbatim të këtij telegrami, prej  mbrëmjes së djeshme, mbi 215 Patrulla të Përgjithshme të Policisë u angazhuan për zbatimin e  këtyre masave. Në të gjithë vendin, u mbyllën gjatë mbrëmjes së djeshme 522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pube dhe 18 lokale me muzike live. Strukturat e Policisë së Shtetit do të bashkëpunojnë me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, Njësitë e Qeverisjes Vendore, Prefektët e Qarqeve dhe institucionet e tjera shtetërore që i ngarkon ligji. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pronarëve të lokaleve që të zbatojnë pa asnjë hezitim urdhrat e përcjella nga punonjësit e Policisë dhe të mos i kundërshtojnë ato, pasi moszbatimi i tyre do shoqërohet me penalitete ligjore.

Lezhë – Kapet një tjetër i kërkuar në kuadër të operacionit policor “Vol-Vo 4”, i zhvilluar në tetor të vitit 2018, ku u godit një grup i strukturuar kriminal në fushën e krimit ekonomik. Vihet në pranga ish-regjistruesi i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Lezhë. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. S., 31 vjeç, lindur e banues në Pllanë, Zejmen, Lezhë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Vol-Vo 4”. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre“, “Falsifikimi i dokumenteve“, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve“, “Shpërdorimi i tokës”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor “Egnatia”. Tentuan të vidhnin në një banesë, por falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale arrestohen në flagrancë nga Policia, 2 autorët e dyshuar. Gjatë operacionit, në banesën me qira të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën e zjarrit tip pistoletë që dyshohet se këta shtetas e kishin me vete gjatë tentativës për të kryer vjedhjen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Don Bosko”, në  banesën e shtetases S. M., dy shtetas kishin tentuar të hynin në banesë dhe njëri prej tyre dyshohej se mbante një armë zjarri në dorë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë. Falë veprimeve të shpejta e profesionale, brenda një kohe të shkurtër, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorët e dyshuar, shtetasit G. A. alias S. H., 23 vjeç dhe E. S., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga këta shtetas, në rrugën “Egnatia”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, me një krehër me fishekë, të cilën dyshohet se këta shtetas do ta përdorin për të realizuar vjedhjen. Vijon puna për dokumentimin e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë implikuar këta shtetas. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Vlorë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier,  ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 17 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 4 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 4 raste, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste aksidentesh në të gjithë territorin, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Berat.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

Janë evidentuar she arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.