Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier-Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për një 14-vjeçar që ishte futur për tu larë në lumin Seman, ju bëjmë me dije se pas kërkimeve nga shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec dhe polumbarët e RENEA-s, sot rreth orës 10:40, u bë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së mbytur, shtetasit E. S., 14 vjeç.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Berat-Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Berat, pasi kanë marrë njoftim për 3 vatra zjarri në lagjen muzeale “Kala”, menjëherë kanë shkuar në ndihmë të banorëve të zonës, për të bërë të mundur fikjen e zjarrit. Për të mos krijuar panik te turistët dhe qytetarët, punonjësit e Policisë kanë përdorur mjete rrethanore, bashkë me banorët,  duke bërë të mundur neutralizmin e flakëve, pasi në momentet e para, ndërhyrja e zjarrfikëses ishte e vështirë, për shkak të terrenit, duke qenë se zjarri kishte rënë nw disa vatra, në zonën përreth kalasë.Reagimi i menjëhershëm i punonjësve të Policisë dhe i banorëve, më pas edhe i zjarrfikësve bëri të mundur parandalimin e përhapjes së zjarrit, i cili mund të kishte dëme të mëdha në lagjen muzeale.Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Berat po punojnë për identifikimin e autorit/ve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

DVP Korçë-Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Remote”.Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.Operacioni i zhvilluar pas një pune hetimore disajavore, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.Vihet në pranga 1 tjetër shtetas, sekuestrohen 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.Shkon në 2 numri i të ndaluarve dhe në 6 i minave të sekuestruara, gjatë të dy fazave të operacionit, ku faza e parë u finalizua 6 muaj më parë.Në vijim të operacionit policor të koduar “Remote”, startuar 6 muaj më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një pune hetimore disajavore finalizuan me sukses fazën e dytë të tij. Si rezultat i saj u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. C., 35 vjeç, banues në fshatin Rilë, Lezhë, për veprat  penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në veprimtari kriminale në qytetin e Korçës, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në vendin e quajtur “Enkelana”, në Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak-Rreth orës 08:15, në lagjen nr.1, Durrës, dyshohet se është hedhur nga ballkoni i banesës së saj dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasja I. V., 25 vjeçe.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Dibër/informacion paraprak-Rreth orës 13.35, në lagjen Kamen, Peshkopi, shtetasit D.S., dhe S.S, janë përfshirë në konflikt dhe kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime shtetasit M.K(punonjës policie me detyrë Specialist Zone) i cili ka qenë duke hyrë në portën e banesës së tij.Punonjësi i Policisë i ndodhur në rrezik për jetën, dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri me qëllim ndalimin e mëtejshëm të sulmit ndaj tij.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes dhe kapjen e shoqërimin në Komisariat të autorëve të përfshirë në konflikt.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 66 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 8 janë arrestuar, 48 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore dhe me 10 të tjerë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave policore dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, prej tyre 3 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijvë” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste, 1 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 10 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, 3 prej të cilave rezultojnë aksidentale, 2 të tjera me autorë ende të paidentifikuar, gjithashtu, për rastet e tjera rezultojnë 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarreve.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 6 raste, me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjëndje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me 2 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar: 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 11 aksidente, si pasojë e të cilëve 14 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar, si dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.