Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 1 prill 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Qarkullonte me armë zjarri në mjetin e tij gjatë orës policore, vihet në pranga 26-vjeçari.    Sekuestrohen 2 armë zjarri, njëra që u gjet në mjet dhe tjetra që u gjet në banesë. Në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë qarkun e Tiranës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet. Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. T., 26 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij dhe në banesën që kishte  marrë me qira, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. T., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Tiranë – Arrestohet në flagrancë 1 drejtues mjeti, si dhe referohen materialet për 3 shtetas të mitur për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 44 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.  Më datë 31.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasit e mitur me iniciale K. O., 12 vjeç, L. L., 13 vjeç dhe  L. L., 14 vjeç, pasi ditën e djeshme  në rrugën “Karahman Ylli”, për motive të dobëta, kanë goditur me mjete rrethanore dhe prerëse shtetasit e mitur me iniciale A. H., 12 vjeç, dhe L. H, 14 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Më datë 31.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit E.(S). M.(M)., 44 vjeç, sepse në bulevardin “Migjeni”, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin A. Xh., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Procedohen penalisht 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Shpallen në kërkim policor 3 shtetas të tjerë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve proceduan penalisht për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” shtetasin M. R., 33 vjeç, banues në Radhimë, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë  Himarë  proceduan penalisht për veprën penale “Dhuna në familje”shtetasin  Th. J., 51 vjeç, banues në Himarë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë  Sarandë proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasen R. P., 31 vjeçe, banues në Sarandë (me detyrë kryeinspektore e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Sarandë), pasi ka bërë kallëzim shtetasi A. Ll.., i cili pretendon se kjo shtetase ka lejuar të bëhet një ndërtim i paligjshëm në lagjen nr. 1, Sarandë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë shpallën në kërkim policor shtetasit A. Ç., 34 vjeç, R. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi këta shtetas, pas një konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. M., 27 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Tentuan të vidhnin në një lokal, por falë veprimeve të shpejta të Policisë, arrestohen në flagrancë 3 autorët. Në pranga dhe një 23-vjeçar, për “Armëmbajtje pa leje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë benë arrestimin e shtetasve I. B., 37 vjeç, P. A., 16 vjeç dhe E. D., 32 vjeçe, banues në Shkodër.   Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Lezhë, duke vjedhur me thyerje një lokal në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë u bë arrestimi i shtetasit R. G., 23 vjeç, banues në Thumanë. Ky shtetas është vetëplagosur me armë zjarri në këmbë, në automjetin e tij tip “Benz”. Aktualisht ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit tip “Ruger” me një krehër me 5 fishekë, të cilën e mbante pa leje. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – Policia e Gjirokastrës zbardhi dhe dokumentoi në kohë rekord ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy persona kanë vjedhur në një argjendari, nën kërcënimin e armës.   Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Policia e Gjirokastrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta bëri të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej të autorëve të dyshuar, shtetasit A. M., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.  Ky shtetas ka vuajtur më parë dënimin për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”. Shtetasi A. M. dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, nën kërcënimin e armës, ka  vjedhur në një argjendari në lagjen “18 Shtatori”.    Strukturat hetimore të DVP Gjirokastër po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 64 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 9 janë arrestuar në flagrancë dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë, 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan dhe 2 në Vlorë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Kukës, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje” në Tiranë, 1 rast me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast ku po punohet për kapjen e autorit.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 4 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjithashtu, është evidentuar një rast i vjedhjes me dhunë, në Fier, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 3 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i i vulave, stampave ose formularëve”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Lezhë, 1 në Elbasan dhe 2 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar një rast i “Armëmbajtja pa leje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Po në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.