Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 06 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë- Vijon operacioni për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kontrabandim të migrantëve nga vendet e treta në drejtim të Italisë, i zhvilluar 4 muaj më parë. Në kudër të këtij operacioni janë vënë në pranga, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim, 5 shtetas të shpallur në kërkim, me detyrë roje bregdetare. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë̈ Vendore të Policisë̈ Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë̈ së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një̈ pune intensive hetimore disamujore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, bënë ndalimin e shtetasve B. B., 38 vjeç, banues në Vlorë; R. Ç., 54 vjeç, banues në Vlorë; B. M., 26 vjeç, banues në Vlorë; S. B., 23 vjeç, banues në Vlorë dhe A. A., 34 vjeç, banues në Vlorë. Ndalimi i tyre u bë pasi këta shtetas, me detyrë roje bregdetare të Forcës Detare, gjatë operacionit  për goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë̈, të migrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e Vjosës, dyshohen se gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues (gomone), i cili ka mundur të largohej, shtetasin E. L.(A.), një ndër tre të arrestuarit nga Policia, në muajin janar. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë̈ pranë̈ Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin, Lezhë  – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vodhën metale tek ish-uzina në Laç, falë reagimit të shpejtë të Policisë arrestohen në flagrancë autorët. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve G. A., 25 vjeç dhe R. L., 32 banues në Kurbin, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të vjedhjes. Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me mjetin tip kamionçinë me drejtues shtetasin G. A. dhe pasagjer shtetasin R. L., të ngarkuar me hekur, të cilin e kishin vjedhur tek ish-uzina në Laç. Gjatë shoqërimit të tyre në Komisariatin e Policisë Kurbin, shtetasi R. L. ka dëmtuar me gurë  automjetin e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi  i pronës”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Valuta”. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Zbardhet dhe dokumentohet në kohë rekord ngjarja e ndodhur më datë 04.05.2021, në rrugën “Mihal Duri”, ku 3 shtetas i vodhën me dhunë 3.000.000 lekë të rinj, punonjësit të një pike valute. Arrestohet në flagrancë njëri prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy nga bashkëpunëtorët, me precedent të mëparshëm penal. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale shuma e parave të vjedhura nga këta 3 shtetas. Në vijim të punës të pandërprerë hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 04.05.2021, në rrugën “Mihal Duri”, ku 3 shtetas i vodhën me dhunë shumën prej 3.000.000 lekësh të rinj, shtetasit Q. Z., 60 vjeç, punonjës i një pike valute, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit e Krimit ndaj Jetës dhe Pronës,nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Valuta”, si rezultat e të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. S., 22 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit M. Gj., 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe  M. B.(B)., 26 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët kanë qenë dy personat që ndodheshin me motor në momentin që ka ndodhur ngjarja, ndërsa shtetasi R. S. (i arrestuar) i ka ndihmuar duke i informuar për lëvizjet e të dëmtuarit. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.

Maliq/Informacion paraprak – Më datë 06.05.2021, rreth orës 09:40, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Zvirinë, Maliq, punonjësi i Stacionit të Policisë Kufitare Qafë-Thanë, shtetasi S. N., duke drejtuar automjetin e policisë tip “Dacia”, ka aksidentuar këmbësorin D. D., rreth 78 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, i cili u dërgua në Spitalin e Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  Grupi hetimor në vendngjarje, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, po kryejnë veprimet e mëtejshme proceduriale me drejtuesin e mjetit.

Lezhë/Informacion paraprak – Më datë 06.05.2021, rreth ores 10:40, në fshatin Ishull-Lezhë, në banesën e saj dyshohet së është vetëvrarë me armë gjahu shtetasja D. M., 52 vjeçe. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

Elbasan/Informacion paraprak – Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.     Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e  autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 2 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Gjirokastër dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 30 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 37 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 4 shtetas, 1 për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 për “Mashtrimi”, 1 për “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 për “Përndjekja”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i i lotarive të palejuara”, në Dibër, me 1 autor të shpallur në kërkim dhe 1 që po procedohet në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 7 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.