Raporti ditor i ngjarjeve, 7 shtator 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive

Tiranë/Operacion kërkim-shpëtimi, i zhvilluar rreth 5 orë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe RENEA.Policia lokalizon dhe iu ofron ndihmë 2 turistëve francezë që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, te shpella e Pëllumbasit.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, pasditen e djeshme kanë marrë njoftim se 2 turistë kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur, gjatë eksplorimit të natyrës, në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, afër shpellës së Pëllumbasit. Menjëherë janë nisur në drejtim të kësaj adrese, bashkë me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë. Pas disa orësh kërkime, para mesnatës, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 turistët francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak se kishin humbur orientimin dhe nuk kishin më as ujë, as ushqim. Pasi iu kanë dhënë ndihmën e parë, për shkak të terrenit te rrezikshëm, shërbimet e Policisë kanë kërkuar shërbime të specializuara për të nxjerrë turistët nga vendi ku ishin bllokuar.Në ndihmë të tyre kanë shkuar Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe shërbime të Repartit Special RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e turistëve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe së bashku me shërbimet e tjera të Policisë i kanë shoqëruar me këmbë turistët, deri në vendin ku i priste ambulanca.Dy turistët janë dërguar në spital, për ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për humanizmin dhe për ndihmën që iu ofruan.Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Shkodër/Megaoperacion nga ajri dhe nga toka, për asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara në zona të thella malore të qarkut Shkodër.Finalizohet në kushte të vështira terreni dhe në shkallë të lartë rrezikshmërie për jetën e punonjësve të Policisë, megaoperacioni policor i koduar “Fly”.Asgjësohen në total, nëpërmjet djegies, 12 831 bimë narkotike cannabis sativa.Megaoperacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA” dhe me FNSH-të Tiranë dhe Fier.Në këtë megaoperacion, nga ajri u angazhuan 50 efektivë të repartit “RENEA” dhe nga toka, 500 efektivë të DVP Shkodër, të komisariateve në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier.Efektivët e repartit “RENEA” janë transportuar me helikopter, pasi bimët e kultivuara ishin në një terren shumë të thellë malor dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.-Gjatë megaoperacionit, nga ajri, morën pjesë efektivët e repartit “RENEA”dhe grupe hetimore. Efektivët e RENEA-s, me anë të helikopterit, mundën të mbërrinin në vende të ndryshme, në territorin e fshatit Palaj, njësia administrative Shosh, ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Nga këto zona, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 2220 bimë narkotike cannabis sativa.-Në vijim, gjatë këtij megaoperacioni, nga toka, shërbimet e DVP Shkodër, të komisariateve të Policisë në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier, nga terrene të vështira malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, asgjësuan 10 611 bimë narkotike cannabis sativa.Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, të asgjësuara gjatë megaperacionit “Fly”.

Kavajë/Policia identifikon dhe vë në pranga një tjetër autor të krimit të zjarrvënies.Ndezi zjarr, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë dogji disa sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të tij dhe të një shtetasi tjetër, vihet në pranga.Sapo u njoftuan për një vatër zjarri, në fshatin Shtordhë, Kavajë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit H. H., banues në këtë fshat.Shtetasi H. H. kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, për djegien e disa mbeturinave, dhe për shkak të përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të tij dhe të një shtetasi tjetër.Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht. Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 124 shtetas, konkretisht: 33 shtetas janë vënë në pranga, 83 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, janë evidentuar 5 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 14 raste, 5 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 6 shtetas të shpallur në kërkim dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 17 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përndjekja”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga, si dhe nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike” dhe “Dhunimi i varreve”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim.

2 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për falsifikim të dokumenteve dhe për largim të të burgosurit nga vendi i qendrimit, janë kapur dhe janë vënë në pranga. 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, për vjedhje të energjisë, janë kapur dhe ndaj tyre vijon procedimi në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 33 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 19 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.