Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tepelenë-Goditi bashkëshorten, me mjet prerës (thikë), dhe më pas dëmtoi veten, vihet në pranga 42-vjeçari.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin L. N., 42 vjeç, banues në Tepelenë.Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ditën e djeshme, dyshohet se pas një konflikti të çastit në banesë, në lagjen “Selam Musai”, Tepelenë, ka goditur me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen F. N., 40 vjeçe dhe më pas ka dëmtuar dhe veten. Të dy këta shtetas ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.Materialet në ngarkim të shtetasit L. N. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Tropojë/Vijojnë kontrollet intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje, sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak.Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.Në vijim të punës për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një rast të kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. H., në fshatin Degë.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak, të cilat ky shtetas i mbante pa leje.Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasi D. H., banues në fshatin Degë, Tropojë.Materialet i hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë-Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. D., 34 vjeç dhe B. D., 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Kot, pasi dyshohet se ditën e djeshme, për shkak të një konflikti familjar, kanë goditur me automjet bashkëshortin e motrës së tyre, shtetasin A. M., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet në spitali, në kujdesin mjekësor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin S. S., banues në Sarandë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i administrimit të menjëheshëm të kallëzimeve të marra për 2 raste vjedhjesh, kanë vënë në pranga shtetasin A. B., 39 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, pasi gjatë 2 muajve të fundit, iu ka vjedhur biçikletat, 2 shtetasve të ndryshëm. Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga 39-vjeçari.
Po nga këta specialistë u arrestua në flagrancë shtetasi O. M., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Në Komisariatin e Policisë Krujë, ka kallëzuar shtetasi A. M., 31 vjeç, banues në Derven, Krujë, se më datë 30.03.2023, është larguar nga banesa, motra e tij, shtetasja A. M., 36 vjeçe dhe nuk është kthyer më. Po punohet për gjetjen e saj.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Fier/U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. B., 59 vjeçe, banuese në Fier, për veprën penale “Mashtrimi”.
Fier/U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. B., 23 vjeç, banues në Patos, pasi duke qënë i punësuar si operator në një subjekt, dyshohet se ka vjedhur materiale pune.
Fier/U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. A., 45 vjeç, banues në Fier, pasi nuk i ka kthyer automjetin një shtetasi i cili e ka çuar automjetin, në servisin e 45-vjeçarit, për ta rregulluar.
Lushnjë/U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një dozë lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Mallakastër/U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. K., 19 vjeç, banues në Patos, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, iu gjetën 5 fishekë çifteje, 1 targë e një automjeti tjetër, 1 palë dylbi dhe 2 radio si ato të Policisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste-2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 8 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre ka mbetur në tentativë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, 2 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, për rastet e tjera-2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe 1 rast i krimeve kompjuterike, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 5 raste-1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 14 raste, 7 prej tyre dhe autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilave, vijon punën Policia, ndërsa për rastet e tjera-2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 17 raste – 1 shtetas është vënë në pranga dhe 16 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Vetëgjyqësia”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Ngacmimi seksual” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, me 14 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar:
-2 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 4 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.