Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Gjirokastër-Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.Kapet dhe vihet në pranga një 28-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi tentoi të transportonte me automjet, kundrejt fitimit, emigrantë të paligjshëm, drejt Tiranës.Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në inteligjencën informative, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. L., 28 vjeç, banues në Tiranë.28-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 11.03.2023, duke drejtuar automjetin e tij, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, është larguar me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte kundrejt fitimit, 4 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës.
Shërbimet e Postës së Policisë Dropull referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Xh., 67 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi e Sipërme, Dropull, për veprën penale “Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi V. F., 67 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi e Sipërme, se shtetasi K. Xh. ka marrë kartat e identitetit të familjarëve të tij dhe i ka përdorur ato pa dijeninë e tyre, për të plotësuar formularët për regjistrimin e kandidatit të një subjekti politik, në procesin zgjedhor.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll ndaluan me iniciativë shtetasin V. Sh., 54 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij.
Gramsh/Informacion paraprak-Rreth orës 07:20, dyshohet se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, është vetëhedhur nga dritarja e spitalit të Gramshit, shtetasi H. Ll., 65 vjeç, i cili trajtohej në këtë spital, për disa diagnoza mjekësore (Astmë dhe Hipertension).Për shkak të demtimeve të marra, 65-vjeçari është dërguar në Spitalin e Traumës, Tiranë, ku po merr asistencë mjekësore.Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Velipojë, Shkodër-Finalizohet një tjetër operacion policor antikanabis, i koduar “Njësia”.Operacioni, në funksion të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike që në fazat e para përgatitore.Gjatë operacionit të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, falë përdorimit të dronëve u evidentuan dhe u goditën 2 raste të tentativës për të kultivuar bimë narkotike.Asgjësohen 2150 fidanë në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, konkretisht 1900 fidanë në territorin e fshatit Luarzë dhe 250 fidanë në territorin e fshatit Reç, anës lumit Buna.Vihet në pranga një 55-vjeçar dhe shpallet në kërkim një 37-vjeçar, si autorë të dyshuar të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, në këto fshatra.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit operacional për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike që në fazat e para përgatitore, bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i kontrollit të territorit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Njësia”, gjatë të cilit, falë përdorimit të dronëve, u evidentuan dhe u goditën 2 raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.Gjatë kontrollit në territorin e fshatit Luarzë, shërbimet e Policisë gjetën 1900 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në kubikë, pjesa më e madhe e tyre e mbuluar me plastmas.Gjatë kontrollit në anë të lumit Buna, në territorin e fshatit Reç i vjetër, Policia gjeti 250 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në kubikë.Një pjesë e fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.Në vijim të operacionit, në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komsiariatit të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 55 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Xh. B., 37 vjeç, si autorë të dyshuar të kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa.Operacioni vijon për kapjen e shtetasit Xh. B., identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkoitke”, kryer në bahskëpunim, më shumë se një herë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste-4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për kalimin e paligjshëm të kufirit është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa një shtetas tjetër është ndaluar për 1 rast të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të ndodhur më parë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera rezultojnë- 3 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera rezultojnë – 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Moskallëzimi i krimit”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Prostitucioni”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për raste të mëparshme të veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, përkatësisht me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin ka ndodhur 1 aksident, si pasojë e të cilit 2 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.