Raporti ditor i ngjarjeve, 30 gusht 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive

Fier/Finalizohet megaoperacioni policor i koduar “MISTERI”.

Policia parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale.

✅Me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse.

✅29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve L. Th. dhe F. S., të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023.

Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.

-Në kuadër të këtij megaoperacioni, në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapën në flagrancë shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Kamzë, me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga kontrolli i zonës ku u kap shtetasi A. M., u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë.

-Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .

Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste.

Tiranë-Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Recidivisti”.Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Podhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe u kap në flagrancë me një sasi kokaine, vihet në pranga 37-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.Gjatë kontrollit në banesën e 37-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak.Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike kokainë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Recidivisti”.Si rezultat, u arrestua shtetasi M. G., 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve.Shtetasi M. G. është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Foto Xhavella”, dhe gjatë kontrollit fizik, i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.Pas verifikimeve ka rezultuar se 37-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Podhimi dhe shitja e narkotikëve”.Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste- 3shtetas janë vënë në pranga dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 6 raste- me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të mëparshme, është ndaluar një shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të mitur.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, me 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për këtë vepër penale, është kapur dhe ndaluar, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim; “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga; “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga; “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga; “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 22 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 9 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.