Me fillimin e vitit të ri shkollor, ndihmës/specialistët për edukimin në shkolla dhe punën me të rinjtë kanë vijuar takimet informuese dhe sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe jopublike, në të gjithë qarkun Fier.
Gjatë këtyre takimeve, bashkëbisedimi me nxënësit u përqendrua në tema të rëndësishme për moshën e tyre, si parandalimi i bullizmit, siguria në shkollë, respektimi i rregullave dhe bashkëpunimi me Policinë, si dhe në rëndësinë e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm për zhvillimin e procesit mësimor.
Në takime morën pjesë edhe psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla, të cilët u bënë pjesë e diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me nxënësit.
Punonjësit e Policisë prezantuan materiale informuese dhe ilustruese, ndërsa nxënësve iu shpërndanë fletëpalosje me këshilla, informacione dhe mesazhe sensibilizuese për sigurinë dhe sjelljen e përgjegjshme.
#SiguriaNëShkolla👮🏻♀️

