Raporti ditor i ngjarjeve, 29 dhjetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Qafë Thanë/Pogradec-Finalizohet faza e trembëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar 1 vit më parë.Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit maqedonas.Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.Sekuestrohen 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij.Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:- E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volksëagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Morinë, Kukës/Vijojnë kontrollet intensive nga Policia Kufitare, për goditjen e veprimtarive kriminale.Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.  Sekuestrohen 59 100 euro, procedohet penalisht 45-vjeçari që nuk i deklaroi në PKK Morinë.Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. H.Gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e dorës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 59 100 euro, të padeklaruara nga 45-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 45 vjeç, banues në Istog, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Korçë/Më datë 29.12.2022, rreth orës 02:50, shtetasja L. H., 67 vjeçe, banuese në fshatin Pirg, Maliq, ka njoftuar se një shtetas ende i paidentifikuar, i ka marrë me forcë, në banesën e saj, një shumë parash. Nga ana e Policisë po kryhen veprimet procedurale, me qëllim zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Shkodër/Informacion paraprak-Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

DVP FierSpecialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin S. M., 36 vjeç, banues në Cakran, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 28 vjeç, sepse pas një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, një shtetas.

-U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 60 vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se 60-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 4 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste, me 2  shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit të dokumenteve, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 2 raste me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 12 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar edhe 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Dhunimi i banesës”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 2 shtetas të vënë në pranga.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit, vijon punën Policia dhe 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 7 shtetas të vënë në pranga dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.