Raporti ditor i ngjarjeve, 27 prill 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, konferencë për shtyp, së bashku me një nga prokurorët e kësaj çështjeje Françesk Ganaj, për zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale, të ndodhur në Shëngjin, më datë 19 prill.

Përshëndetje,

Jemi sot këtu, për të komunikuar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale, të ndodhur në qarkun e Lezhës.

Ashtu siç ju kemi bërë me dije, në Shëngjin, më datë 19.04.2023, rreth orës 13:25, në ambientet e lokal “Coral”, është vrarë me armë zjarri, shtetasi Ardian  Nikulaj, 51 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.

Mënjëherë pas ngjarjes së ndodhur, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe kryerjen së veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Policia e Shtetit e vlerësoi maksimalisht këtë ngjarje, për zbardhjen e së cilës grupi hetimor ka këqyrur, vlerësuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sërë provash të vlefshme që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes.Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

•           Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm;

•           Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;

•           Letërnjoftim;

•           Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike

Njëkohësisht, grupi hetimor ka vijuar me veprime të shpejta procedurale si: marrje të deklarimeve, këqyrje dhe sekuestrim pamjesh filmike në vendin e ngjarjes, këqyrje të itinerarit të përshkruar nga autorët e dyshuar që lidhen me kohën dhe vendin para dhe pas kryerjes së ngjarjes së rëndë kriminale.

Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes.

Në përfundim të këtyre veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:

1.         E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,

2.         R. R. S., shtetas portugez,

3.         H. J. S., shtetas britanik,

4.         H. B., shtetase britanike,

5.         TH. M., shtetas britanik,

6.         S. P. H, shtetas britanik,

Grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj.

Gjithashtu grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.

Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Më lejoni që në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e ndiej detyrim dhe nevojë të sqaroj opinonin publik dhe juve të nderuar gazetarë, në lidhje me reagimin dhe angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit, jo vetëm në rastet e ngjarjeve kriminale, por në tërësinë e punës së tyre, sepse pavarësisht opinioneve, deklaratave mediatike, ju siguroj juve dhe qytetarët, se Policia e Shtetit ka reaguar dhe është angazhuar maksimalisht, dhe vijon me angazhimin maksimal për parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndjekjen me grupe të posaçme hetimore, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura, për krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët vendas dhe ata të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Policia e Shtetit flet me prova për ngjarje të caktuara dhe me rezultatet që strukturat e saj arrijnë në punën e përditshme, jo me opinione. Në këtë kuadër kërkohet rritja e ndërgjegjësimit dhe e bashkëpunimit të qytetarëve, rritja edhe më shumë e besimit të tyre te Policia e Shtetit, me qëllim që të raportojnë në kohë për çdo paligjshmëri me të cilën përballen, pasi denoncimi në kohë, i jep mundësi Policisë të veprojë menjëherë dhe drejt objektivit.

Njëkohësisht, dua të siguroj qytetarët, se asnjë nga drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk është i implikuar në veprimtari që bien ndesh me ligjin dhe me detyrën.

Punonjësit e Policisë janë në krye të detyrës, me përgjegjësi ligjore dhe morale përballë qytetarëve, për të përmbushur sa më mirë këtë mision të shenjtë në shërbim të tyre.

Të nderuar qytetarë, na besoni dhe bashkëpunoni edhe më shumë me ne, dhe pa diskutim që do kemi parametra më të mirë të rendit dhe sigurisë, si dhe një shërbim edhe më cilësor ndaj jush.

Faleminderit!

Policia e Shtetit-Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe kontrollet në terren, për sigurimin e të gjitha provave që shërbejnë për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së vrasjes së kryer më 19 prill, në Shëngjin.Si rezultat i hetimeve, informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të imtësishme në terren të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe forcat operacionale të Policisë së Shtetit, në afërsi të banesës së shtetasit të shpallur në kërkim E. H., në fshatin Kakarriq, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan motomjetin e përdorur nga ekzekutori, për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj.Grupi i posaçëm hetimor vijon hetimet dhe veprimet në terren, në funksion të dokumentimin të plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.Ndërkohë, Policia e Shtetit është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për lokalizimin dhe kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj.

Tiranë-Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “HARASSMENT”.Ngacmoi seksualisht dy shtetase, identifikohet dhe vihet në pranga 25-vjeçari.Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që iu gjet 25-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të bërë nga një shtetase e mitur 15 vjeçe, se një shtetas i paidentifikuar e kishte ngacmuar atë seksualisht, në ashensorin e pallatit ku ajo banon, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “HARASSMENT”.Si rezultat i tij u bë arrestimi i shtetasit Xh. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 25-vjeçari ka ngacmuar seksualisht 15-vjeçaren, në ashensorin e pallatit, si dhe një shtetase të huaj, në parkingun e një qendre tregtare.Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 25-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Materialet i kaluan Prolurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Elbasan/Vijon puna operacionale për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.Kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari i shpallur në kërkim për dhunë në familje dhe veprime në kundështim me vendimin e Gjykatës.Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë kapur në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan, dhe kanë ndaluar shtetasin:E. G., 35 vjeç, banues në Elbasan.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sepse dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij dhe ka kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila e kishte pajisur motrën e 35-vjeçarit, me urdhër mbrojtjeje.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier/Procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. L., 39 vjeç dhe Ll. P., 30 vjeç, të dy banues në Fier, pasi gjatë kontrolleve fizike, nga shërbimet e Policisë, iu gjetën doza lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Dh., 54 vjeç, banues në Vajkan, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, i ka marrë një shumë parash, një shtetaseje dhe nuk ia ka kthyer më.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. K., 57 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, ka penguar shtetasin L. M., për të marrë pajisjet në pronësi të tij, nga magazina që i kishte dhënë me qira 57-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. C., 46 vjeç, banues në Mucias, Divajkë, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, i ka marrë një shumë parash shtetasit D. Gj., me pretendimin se ky i fundit ia kishte borxh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për kalimin e paligjshëm të kufirit janë evidentuar 3 raste me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është ndaluar për një rast të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të dyshuar të kryer më parë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 12 raste, 7 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të vënë në pranga; 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga; 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga; 1 rast i veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për 1 rast të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, si dhe 2 shtetas janë vënë në pranga për 2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, gjithashtu të ndodhura më parë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.