Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 4”, si rezultat i punës gjurmuese-policore ndaj pasurive me burime kriminale.Konfiskohen 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, të ndodhura në Elbasan.Pronarët bashkëjetues, të dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, në vitin 2009, për trafikim armësh, drogë dhe falsifikim.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 4”, kanë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme (apartamente), me vlerë rreth 300 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të shtetasve:-Z. Gj., 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias B. B., 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues).Këta shtetas janë dënuar ne vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.Në zbatim të vendimit të Gjykatës, u konfiskuan 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, me sipërfaqe totale rreth 470 m2, të ndodhura në Elbasan.Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shijak/Finalizohet operacioni policor i koduar “Periferia”, për të goditur dhe zbardhur 4 raste vjedhjesh.Vidhnin vazhdimisht, në fshatra të ndryshëm të qarkut, Policia identifikon 3 bashkëpunëtorët. 2 prej tyre u kapën dhe u arrestuan në flagrancë, vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të punës hetimore-policore, për të parandaluar dhe goditur vjedhjen e pronës dhe pasurisë së qytetarëve, për zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, si dhe për nxjerren e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Periferia”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:-J. D., 35 vjeç, banues në Sukth dhe një 17-vjeçar, banues në Shijak. Këta shtetas u kapën në flagrancë duke vjedhur pajisje të ndryshme, në një biznes (servis automjetesh), në Xhafzotaj.Në kuadër të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi D. A., 29 vjeç, banues në Vorë, për kapjen e të cilit, vijon puna. Gjithashtu, rezultoi se të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura në datat 9 dhe 13 janar, në fshatrat Xhafzotaj dhe Vlashaj, ku janë vjedhur sende dhe pajisje në ambiente (banesa dhe magazina) në pronësi të shtetasve të ndryshëm.Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Në Komisariatin e Policisë Durrës, ka kallëzuar shtetasi E. P., 76 vjeç, banues në lagjen nr.3, Durrës, se ka humbur kontaktet me djalin e tij, shtetasin G. P., 49 vjeç, i cili udhëtonte nga Athina në drejtim të Durrësit ,me autobusin e linjës. Vijon puna për gjetjen e 49-vjeçarit.
Berat-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 29 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një 13-vjeçari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Fier/Në datën 18.01.2023, në Komisariatin e Policisë Fier, ka bërë kallëzim shtetasi E. M., 60 vjeç, banues në Fier, se vajza e tij, shtetasja D. M., 22 vjeçe, është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Punohet për gjetjen e 22-vjeçares.
Durrës/Punë lokalizuese dhe policore për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të kërkuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.Lokalizohet, kapet në Durrës dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar drejt Italisë, 32-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim droge.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e ZQK Interpol Tirana, në vijim të punës për lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin:-A. L., 32 vjeç, banues në Durrës.32-vjeçarit i është caktuar nga Gjykata e Milanos, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e organizatës kriminale, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e shtetasit A. L. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 28 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste-1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 18 raste, 9 prej tyre dhe autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa për rastet e tjera-1 shtetas është vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas u ndalua, i dënuar për vjedhje të energjisë elektrike.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Ngacmimi seksual”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Dhunimi i banesës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe një shtetas tjëtër është ndaluar, i dënuar për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave 2 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 6 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.