Raporti ditor i ngjarjeve, 16 shkurt 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë/Informacion paraprak-Rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 me drejtues Inspektor B. M., 31 vjeç, dhe automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin N. B., 36 vjeç.Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët, shtetasi G. N., 38 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe punonjësi i Patrullës së Përgjithshme Inspektor J. B., 22 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “Skoda”.Të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.Të dy drejtuesve të mjeteve, iu është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që asnjëri prej tyre, nuk kishte konsumuar pije alkoolike.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Poliçan-Vijojnë kontrollet e shtuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme që shkaktojnë dëmtime në malin e Tomorrit.Si rezultat i kontrolleve të ushtruara mëngjesin e sotëm, në malin e Tomorrit, janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh.Në përfundim të veprimeve, pas kontrollit të ushtruar mëngjesin e sotëm, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. B., 36 vjeç, banues në Poliçan, H. K., 48 vjeç, banues në Berat dhe B. L., 48 vjeç, banues në Berat, të tre administratorë subjektesh për përpunimin e gurëve dekorativë, pasi gjatë kontrollit në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, janë gjetur 3 mjete ekskavatorë, që dyshohet se i përdornin këta shtetas.Gjithashtu, në nisje të kontrolleve, gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht dhe 3 shtetas të tjerë (1 shofer kamioni dhe 2 administratorë subjektesh), pasi dyshohet se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm.

Durrës / Konstatohet në fazë fillestare një rast i veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalohen në kohë, veprimtari të tjera kriminale në këtë fushë.Sekuestrohen dhjetëra fara narkotike. Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari që i transportonte farat me automjet.Procedohet penalisht një 22-vjeçar, pasi u kap në automjetin që drejtonte i arrestuari, duke konsumuar lëndë narkotike.Në vijim të kontrolleve dhe si rezultat i administrimit në kohë reale të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, evidentuan dhe goditën në fazën fillestare, një rast të veprimtarive kriminale në këtë fushë.Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 24 vjeç, banues në Kullë, Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjëndje të lirë për shtetasin F. L., 22 vjeç, banues në Kullë, Durrës.Shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues 24-vjeçarin dhe ku ishte pasagjer shtetasi F. L. Si rezultat i kontrollit në këtë automjet, u gjet dhe u sekuestrua, një qese farmaceutike me 43 fara të dyshuara narkotike kanabis, të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprimtarive të tjera kriminale në fushën e narkotikëve. Gjithashtu, në këtë automjet u konstatua shtetasi F. L., teksa konsumonte lëndë të dyshuar narkotike kanabis.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Mat-Finalizohet operacioni policor i koduar “Macukulli”.Kapet dhe ndalohet 21-vjeçari i shpallur në kërkim, i akuzuar për kultivimin e 187 bimë cannabis sativa, në një zonë të pyllëzuar, në Mat.Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, mbështetur dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat i punës së mirorganizuar, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Macukulli”, në kuadër të të cilit, në Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. N., 21 vjeç, banues në Krujë.Këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka kultivuar 187 bimë cannabis sativa, në një zonë të pyllëzuar në njësinë administrative Macukull, Mat, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia,  në vitin 2021.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.

Himarë/Kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.Finalizohet nga Komisariati i Policisë Himarë, operacioni policor i koduar “Spot”.Mbante të fshehura 1 kallashnikov dhe 1 armë gjahu, në banesën e tij, kapet dhe vihet në pranga 62-vjeçari.Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, arma e gjahut dhe muncion luftarak.Në zbatim të planit të masave për kontrollin e imtësishëm të territorit, në qytetin e Himarës, me qëllim kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri apo sende të tjera të kundërligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që mbante armë zjarri në banesë dhe ishte rrezik për banorët e zonës, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Spot”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi P. B., 62 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, dhe si rezultat gjetën të fshehura 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 16.02.2023, në Rrugën e Rinasit, shtetasi B. J., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti që drejtonte shtetasi B. J. përdorej për transportimin e vlerave monetare, por në momentin e aksidentit ka qenë bosh.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste-4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit, Policia vijon punën, ndërsa për rastin tjetër, është vënë në pranga 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 9 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 2 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, 5 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve, vijon punën Policia, ndërsa për rastet e tjera-3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 1 shtetas është vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është ndaluar për veprën penale “Dhuna në familje”, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Prishja e qetësisë publike”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.