Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër-Finalizohet operacioni policor i koduar “Aksi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër.U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt pagesës, drejt kufirit me Malin e Zi, 13 shtetas të huaj që i kishte marrë në Sarandë, vihet në pranga drejtuesi i automjetit.Sekuestrohen automjeti (furgon), 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro.Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionit policor të koduar “Aksi”.Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit (furgon) me drejtues shtetasin A. K. Në këtë automjet ishin pasagjerë 13 shtetas të huaj (nga Bangladeshi dhe India), të cilët dyshohet se shtetasi A. K. i kishte marrë në Sarandë dhe po i transportonte, kundrejt pagesës, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së.Automjeti tip “Huyndai” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro.Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Shkodër.Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Krujë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.Zhvillohet një tjetër operacion policor i bazuar në inteligjencën informative, i koduar “Shkoza e Bardhë”.Zbulohen 2 sera në të cilat kishte të kultivuar në kubikë, 610 fidanë cannabis sativa.Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar (babë e bir).Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë vijuar kontrollet në territorin e fshatit Shkozë e Bardhë, në njësinë administrative Thumanë, Krujë.Gjatë operacionit policor të koduar “Shkoza e Bardhë”, si rezultat i kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së shtetasve E. R. dhe D. R. (babë e bir), u zbuluan 2 sera në të cilat u gjetën të kultivuar në kubikë, 610 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Pjesa më e madhe e tyre u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Specialistët për Hetimin e Krimeve, në vijim të veprimeve për këtë rast, kanë shpallur në kërkim shtetasit E. R., 66 vjeç dhe D. R., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit që ka ushtruar Policia, ata nuk janë gjetur në banesë.Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., me detyrë kryeplak i fshatit Shkozë e Bardhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.Vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Roskovec, Fier/Intensifikim kontrollesh në zona malore, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.Zbulohet një serë me rreth 500 fidanë kanabisi, të mbjellë në vazo, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë.Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti kultivimi, si dhe asgjësohen fidanët narkotikë.Brenda 24 orësh, ky është rasti i dytë i goditur nga Policia e Fierit, i tentativës për kultivim të bimëve narkotike (në kubikë dhe në vazo).Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, për intensifikimin e kontrolleve në terren dhe në ambiente të mbyllura, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale që në fazë fillestare, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë goditur në kuadër të operacionit policor “Ngjeqar”, një rast tjetër të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.Gjatë kontrollit në fshatin Ngjeqar, në afërsi të liqenit të këtij fshati, shërbimet e Policisë zbuluan një serë të përshtatur për kultivimin në vazo, të rreth 500 fidanëve të dyshuar narkotikë kanabisi, të cilët u asgjësuan nga këto shërbime. Gjithashtu në kuadër të operacionit “Ngjeqar”, si autor i dyshuar i këtij rasti, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. R., 46 vjeç, banues në Ngjeqar, Roskovec.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan-Finalizohet operacioni policor i koduar “Pending call”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit nëpërmjet një subjekti call center.Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet pajisjeve kompjuterike, për të investuar në tregje fiktive, arrestohet në flagrancë administratori i një subjekti call center, si dhe procedohen penalisht 4 punonjës (operatorë) të këtij subjekti.Sekuestrohen kompjutera, USB dhe celularë që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.Gjithashtu, sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis që iu gjet njërit nga operatorët.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan dhe strukturat operacionale të Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i hetimeve proaktive dymujore, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për një rast mashtrimi nëpërmjet një subjekti call center, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pending call”.Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë shtetasi M. N., 26 vjeç, banues në Tiranë, si dhe janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Sh., 27 vjeç, I. K., 26 vjeç, E. B., 28 vjeç dhe N. S., 24 vjeç, të katërt banues në Elbasan.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 5 shtetas, nëpërmjet një subjekti call center (me administrator shtetasin M. N. dhe operatorë 4 shtetasit e proceduar), në lagjen “Sul Paprri”, Elbasan, mashtronin shtetas të huaj, në mënyrë që ata të investonin para në tregje fiktive.Në ambientet e subjektit call center janë gjetur nga shërbimet e Policisë, 3 kompjutera, 1 laptop, 2 USB dhe 6 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis që iu gjet shtetasit N. S.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Durrës-Në Stacionin e Policisë Plazh ka kallëzuar shtetasi I. K., 68 vjeç, administrator i një biznesi (hotel dhe restorant në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, Durrës), se janë larguar nga ambientet e këtij biznesi, 2 shtetaset nga Nepali, P. Sh., 35 vjeçe dhe E. D., 23 vjeçe, të cilat ishin të akomoduara aty dhe gjithashtu punonin në po këtë biznes, si punonjëse të higjienës.Shërbimet e Policisë vijon punën për gjetjen e tyre, si dhe kanë referuar materialet në Prokurori për hetime të mëtejshme për këtë rast.
DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. Rr., 29 vjeç, banues në një fshat të njësisë administrative Vithkuq, Korçë, pasi dyshohet se më datë 08.04.2023, ka kryer marrëdhënie seksuale me një 23-vjeçare, e pazotë për t’u mbrojtur.
-Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. M., 61 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa lejen e organeve përkatëse.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 60 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 5, Pogradec, me vetëgjyqësi i ka bllokuar rrugën fqinjit të tij, me pretendimin se kalon në pronën e 60-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 13 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 raste i veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 8 raste, për zbardhjen e të cilave dhe arrestimin e autorëve, vijon puna nga Policia.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Gjithashtu, janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-për një rastv të veprës penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, është ndaluar 1 shtetas.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave, janë dëmtuar 2 shtetas. Janë evidentuar në total 8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.