Raporti ditor i ngjarjeve, 11 janar 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lushnjë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “First step”.Goditet një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.Kultivonin bimë cannabis sativa, shisnin në doza kanabis dhe kokainë, vihen në pranga 3 shtetas.Të 3 shtetasit u kapën në flagrancë duke qarkulluar me automjet, me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza të gatshme për shitje.Sekuestrohen 71 fidanë narkotikë, 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celulare.Në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për disa shtetas të cilët, të organizuar në formën e grupit, shisnin lëndë narkotike, në qytetin e Lushnjës, si dhe si rezultat i provave të siguruara nga hetimi i kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Lushnjës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “First step”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit S. L.(S)., 28 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, Lushnjë, V. M., 33 vjeç., banues në fshatin Toshkëz dhe E. H., 37 vjeç, banues në fshatin Gjazë, Lushnjë.Këta shtetas u kapën në flagrancë, teksa qarkullonin me një automjet, me sasi lëndësh narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të gatshme për shitje. Nga provat e siguruara si rezultat i hetimeve, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtaritë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe të shitjes në doza, të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrolleve fizike të tyre, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. L.(S)., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, 71 fidanë narkotikë, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celulare.Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të tjerë të implikuar në këto veprimtari kriminale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjirokastër-Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 53”.U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 9 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 24-vjeçari.Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, 1 aparat celular dhe një shumë parash.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 53″, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 24 vjeç, banues në Sarandë.Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip furgon me drejtues shtetasin A. P., pasi kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm. 24-vjeçari nuk është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë. Pas ndjekjes nga Policia, shtetasi A. P. u kap në vendin e quajtur “Gërhot”, duke drejtuar automjetin tip furgon, me të cilin po transportonte nga Saranda në drejtim të Tiranës, 9 emigrantë nga vendet MENA, kundrejt shumës 200 euro për person.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6., operacioni policor i koduar “Start 2023”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.Lëvizte me armë zjarri pistoletë, Policia kap dhe vë në pranga 41-vjeçarin.Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative se në rrugën “Teodor Keko”, një shtetas po lëvizte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Start 2023”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:- M. L., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi 1 armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kurbin/ Kontrolle të vazhdueshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në të gjitha format e shfaqjes së tyre.Finalizohet operacioni policor i koduar “Terreni”, për goditjen e një sërë veprimtarish kriminale.Si rezultat, vihen në pranga 5 shtetas dhe sekuestohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 7 kompjutera që përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i kontrolleve intensive në terren, 24/7, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Terreni”.Si rezultat i këtij operacioni, janë vënë në pranga shtetasit:-G. S., 44 vjeç, banues në Kurbin, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushat e narkotikëve dhe vjedhjes së pronës dhe pasurisë. 44-vjeçari u kap në Laç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. S., shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi municioni luftarak;-A. M., 37 vjeç, banues në Milot dhe A. L., 49 vjeç, banues në Mamurras, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që administronin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 7 kompjutera që përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari të kundërligjshme;-D. P., 34 vjeç, banues në Kukës, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;-J. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar një motomjet, pa leje drejtimi dhe të papajisur me dokumentet përkatëse. Gjithashtu, 34-vjeçari, në momëntin e arrestimit, mbante veshur një xhup me mbishkrimin “Policia”.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 48 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 9 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 5 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 6 raste me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 7 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Dhunimi i banesës”, me 2 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 rast i “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të vënë në pranga

Janë evidentuar gjithashtu 2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 4 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të vënë në pranga dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.