Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë-Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Premtuesi”.Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik.Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 10.05.2023, në Sauk, janë përplasur autobusi me drejtues shtetasin B. H., me automjetin me drejtues shtetasin I. A.Si pasojë janë dëmtuar shtetasi I. A., dhe një pasagjere në autobus, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, pas kontrollit mjekësor, janë larguar nga spitali.Nga verifikimet paraprake rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi I. A., ka hyrë kundravajtje duke i dalë para autobusit dhe ka shkaktuar aksidentin.Po kryhen procedurat për ndalimin e shtetasit I. A.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Has/Informacion paraprak-Rreth orës 00:04, salla operative e Komisariatit të Policisë Has është njoftuar se ka rënë zjarr në garazhin në pronësi të shtetasit B. M., në aksin rrugor “Krume-Golaj”.Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku është bërë i mundur neutralizimi i flakëve, me qëllim mospërhapjen e zjarrit.Si pasojë e flakëve, është djegur plotësisht automjeti në pronësi të shtetasit B. M.Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, vijon veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Memaliaj-Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi F. I., se ishte kanosur nga 2 shtetas, për mospjesëmarrje në zgjedhje, menjëherë kanë kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasit e dyshuar, si dhe kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm.Në përfundim të veprimeve të para proceduarale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. Z., 44 vjeç dhe Y. H., 60 vjeç, banues në Memaliaj, pasi në fshatin Buz, Memaliaj, kanë kanosur me fjalë, për mospjesëmarrjen në zgjedhje, shtetasin F. I., me detyrë administrator i njësisë administrative Buz, Memaliaj.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë-Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Pretend”.Tentoi të digjte një farmaci, identifikohet dhe vihet në pranga 37-vjeçarja.Sekuestrohen një bidon me lëndë djegëse që u gjet në derën e farmacisë dhe një aparat celular.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit se ishte tentuar të digjej me lëndë djegëse, një farmaci në rrugën “Luigj Gurakuqi”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pretend”, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.Si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasja:M. K., 37 vjeçe, banuese në Tiranë.Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo shtetase ka tentuar të djegë një farmaci, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, duke i hedhur lëndë djegëse, me pretendimin se ilaçet që kishte blerë në këtë farmaci i kishin shkaktuar probleme shëndetësore.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një bidon me lëndë djegëse dhe një aparat celular.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 10”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës, 5 emigrantë të paligjshëm, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.Sekuestrohen automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 10”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:-G. M., 35 vjeç, banues në Durrës.Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Shtetasi G. M., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm.Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 35-vjeçari do t’i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Malësi e Madhe-Goditi me send të fortë (lopatë) në kokë dhe i shkaktoi dëmtime të rënda një 56-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet autori.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, menjëherë pas marrjes së njoftimit, ditën e djeshme, për një konflikt në Koplik, kanë organizuar punën, kanë mbërritur në vendngjarje dhe në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin P. Z., 52 vjeç, banues në fshatin Reç, Malësi e Madhe.Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se 52-vjeçari, ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, Koplik, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë (lopatë) në kokë, dhe i ka shkaktuar dëmtime të rënda, shtetasit A. K., 56 vjeç, banues në Koplik.56-vjeçari merr asistencë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 67 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 1 raste -1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për rastet e tjera-3 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe 1 rast i falsifikimit, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të vënë në pranga.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 18 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Prishja e qetësisë publike”, “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar:
-5 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit ndaj punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, me 1 shtetase të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetase ka humbur jetën dhe 11 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.