Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kamëz, Tiranë-Vijon operacioni policor i koduar “Ëndrra e keqe”, për goditjen e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.Operacioni i nisur në vitin 2014, i zhvilluar mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke.Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për trafikim lëndësh narkotike.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Ëndrra e keqe”, kanë kapur dhe ndaluar, në lagjen “Argjinatura”, Kamëz, shtetasin Naim Maloku, 55 vjeç, banues në Kamëz.Ky shtetas është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.55-vjeçari është shpallur në kërkim, në vitin 2014, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Ëndrra e keqe”, i zvilluar mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, gjatë të cilit janë sekuestruar në total, në të dyja vendet (Shqipëri dhe Greqi), 273 kg drogë, 4100 euro, si dhe janë arrestuar 6 shtetas, 3 në Shqipëri dhe 3 Greqi, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetin trafikonin lëndë narkotike.
DVP Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Mix”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.Tregtonin produkte të kontrabanduara në vendin tonë, vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.Sekuestrohen produkte të ndryshme që dyshohet se kanë në përbërje lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një shtetas që tregtonte produkte me përbërje kanabisi, të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mix”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi A. B., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. T., 26 vjeç.Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetasit T. T., me punonjës shtetasin A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, produkte të ndyshme të dyshuara të kontrabanduara, të cilat sipas mbishkrimit në paketim, kishin në përbërje lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Fier-Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza.U kap në flagrancë duke shitur një sasi lënde narkotike kanabis, të ndarë në doza, vihet në pranga 31-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.Në hetim një 43-vjeçar, pasi u kap duke blerë doza të lëndës narkotike kanabis.Sekuestrohen 150 doza lënde narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një shumë parash, e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Fier, të mbështetura nga inteligjenca informative për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në Patos, kanë iniciuar një hetim njëjavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe si rezultat i provave të sigurura, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni”.Në kuadër të këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Xh., 31 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë po për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. K., 43 vjeç, banues në Patos.Shërbimet e Policisë, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar shtetasin F. Xh. dhe e kanë kapur atë në flagrancë duke i shitur doza lënde narkotike kanabis, shtetasit B. K. Në vijim të veprimeve për këtë rast, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 31-vjeçarit, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 150 doza lënde të dyshuar narkotike kanabis, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një sasi metadoni të lëngshëm, një shumë parash e përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celulare.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 40 shtetas janë vënë në pranga, 45 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, me 12 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 8 raste, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 2 raste me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 16 raste, 8 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar: 4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim dhe 3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 5 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 7 shtetas të vënë në pranga dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.