Raporti ditor i ngjarjeve, 01 gusht 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjirokastër – Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari që ushtroi dhunë ndaj nënës së tij dhe e kanosi atë me armë gjahu. Sekuestrohen arma e gjahut çifte, municion luftarak, një armë e ftohtë (thikë) dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që i posedonte 44-vjeçari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga një shtetase 71 vjeçe, se djali i saj e kishte dhunuar dhe e kishte kanosur me armë gjahu, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Y. P., 44 vjeç, banues në fshatin Zhulat, Gjirokastër. Ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij dhe e ka kanosur atë me një armë gjahu çifte që e posedonte me leje. Arma e gjahut u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një sasi municioni luftarak për këtë lloj arme, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis dhe një armë të ftohtë thikë, që i posedonte 44-vjeçari. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. Y., 29 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, pasi automjeti që drejtohej nga 29-vjeçari, ditën e djeshme, përplasi në autostradën “Tiranë-Durrës”, shtetasin Sh. A., 51 vjeç, banues në Tiranë (punonjës për pastrimin e rrugëve). Për shkak të dëmtimeve të marra, 51-vjeçari ka humbur jetën ditën e sotme, në spital. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 59 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, prej tyre 4 raste me autorë të paidentifikuar dhe 2 raste me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste-2 raste me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 16 shtetas të tjerë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste-2 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 2 shtetas janë arrestuar në flagrancë, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste-për 8 nga këto raste janë proceduar në gjendje të lirë 8 shtetas në total, ndërsa për rastin tjetër po punohet për identifikimin e autorit.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste-3 shtetas janë procduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”-3 shtetas janë arrestuar dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Për vepra penale të kundërshtimit të punonjësve të Policisë apo të personave të tjerë që kryejnë detyra të tjera shtetërore janë evidentuar 2 raste-2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”-2 shtetas janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Korrupsioni aktiv”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Marrja pa të drejtë e fëmijës” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, si pasojë e të cilave ka humbur jetën 1 shtetas dhe janë dëmtuar 14 shtetas të tjerë. Janë evidentuar në total 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor-7 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.