Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Processed drugs”.Operacioni, i zhvilluar nga Strukturat e Hetimit në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Lezhë.Të shoqëruar e të ruajtur nga një automjet tjetër, vihen në pranga 3 shtetas që lëviznin me 11 kg kanabis çokollatë në automjetin e tyre.Sekuestrohen 84 pako kanabis e përpunuar si çokollatë me peshë totale 11 kilogramë, 2 automjete dhe 5 aparate celulare.Strukturat e Hetimit në bashkëpunim me Njësinë e Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas po lëviznin në Lezhë, me 2 automjete, ku brenda njërit prej tyre kishte lëndë narkotike të përpunuar si çokollatë të cilën donin ta shisnin, ndërsa te automjeti tjetër ishin shtetas që shoqëronin dhe ruanin automjetin me lëndën narkotike, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Processed drugs”.Gjatë këtij operacioni, në dalje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetet e dyshuara, në lëvizje, për të cilat kanë ndërhyrë dhe i kanë ndaluar menjëherë.Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga shtetasi I. H., në pjesën e bagazhit, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 84 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 11 kilogramë. Ndërsa në automjetin tjetër, nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm, por vetëm 2 shtetas që shoqëronin dhe ruanin automjetin ku ndodhej lënda narkotike.Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë të 3 shtetasit, konkretisht:-I. H.,50 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i automjetit ku ishte lënda narkotike, dhe M. D., 52 vjeç e P. Rr., 40 vjeç, të dy banues në Shkodër, shtetasit që lëviznin me automjetin shoqërues.Në cilësinë e proves materiale u sekuestruan 84 pako lëndë e dyshuar narkotike në formë çokollate me peshë totale rreth 11 kilogramë, 2 automjete dhe 5 aparate celulare.Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.Për këtë vit, ky rast është rasti i dytë i goditjes nga Policia e Lezhës, i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike të përpunuar në formë çokollate. Në muajin korrik, u sekuestruan 15 pako kanabis në formë çokollate, me peshë totale rreth 3.1 kilogramë.
Durrës/Vijojnë operacionet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, në zona të pyllëzuara.Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës, operacioni policor i koduar “Kapedanaj”.Operacioni, në vijim të kontrollit masiv të territorit, si rezultat i të cilit, përmes 1560 efektivëve dhe 32 dronëve, u asgjësuan 4945 bimë narkotike kanabis, të kultivuara në zona të pyllëzuara.I shpallur në kërkim për kultivim të 254 bimëve kanabis, në tokën e tij, në fshatin Kapedanaj, vihet në pranga 34-vjeçari.Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, në zona të pyllëzuara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar operacionin policor të koduar “Kapedanaj”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit në kërkim:-A. Gj., 34 vjeç, banues në Kapedanaj, Ishëm, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.Ky shtetas u shpall në kërkim pasi gjatë kontrollit të imtësishëm të territorit, shërbimet e Policisë, gjetën, sekuestruan dhe asgjësuan me anë të djegies, 254 bimë narkotike kanabis, të kultivuara në një sipërfaqe toke në Kapedanaj, Ishëm, në pronësi të 34-vjeçarit.Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Mirditë / Informacion paraprak-Spitali Rajonal Rrëshen ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Mirditë, se ishte dërguar nga të afërmit e saj, për ndihmë mjekësore, shtetasja V. P., e plagosur me armë zjarri, e cila si pasojë e dëmtimeve kishte humbur jetën.Nga verifikimet paraprake të kryera nga shërbimet e Policisë, dyshohet se në fshatin Jezull, Mirditë, në banesë, shtetasi P. P., 61 vjeç, duke pastruar një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar aksidentalisht bashkëshorten e tij, shtetasen V. P., 54 vjeçe, e cila është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, nga të afërmit e saj, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.Shtetasi P. P. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mirditë, për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa arma e zjarrit pistoletë është sekuestruar në cilësinë e proves materiale.Grupi hetimor, nën drejtimin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon punën në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Poliçan/Informacion paraprak-Sot, në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan, janë konstatuar shtetaset P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, me aparat fotografik.Shërbimet e Policisë në bashkëpunim dhe me Policinë Ushtarake, pas informacioneve të marra se në brendësi të tuneleve të Uzinës, ndodhen dhe dy shtetas të tjerë, kanë ushtruar menjëherë kontroll të imtësishëm.Në brendësi të njërit prej tuneleve, gjatë kontrollit, janë konstatuar dhe dy shtetasit e tjerë, TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, të dy me kombësi çeke.Katër shtetasit çek janë shoqëruar në ambientet e DVP Berat për veprime të mëtejshme procedurale.
Elbasan-Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ju bëjmë me dije se:Nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:-M. Z., 24 vjeç, S. T., 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe F. A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Tiranë / Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Kasaforta”.Vodhën, në një banesë, 2 kasaforta me shuma parash, vihet në pranga 27-vjeçari i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, si dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Kasaforta”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:- K. F., 27 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. N., 23 vjeç, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 14.07.2022, kanë vjedhur, në një banesë, në lagjen “Ali Demi”, 2 kasaforta me 100 000 lekë të rinj dhe mjete identifikimi. Gjithashtu, rezulton se shtetasit K. F. dhe M. N. janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera në banesa, për të cilat vijon puna, me qëllim dokumentimin e tyre me prova ligjore.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale
Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 22.08.2022, është marrë njoftim se në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë, ishte mbytur një vajzë.Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar brenda në pishinë, shtetasen E. T., 25 vjeçe, në gjendje të rëndë, e cila ishte e shoqëruar nga shtetasi O. M., 32 vjeç.Shtetasja E. T., pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga stafi i ambulancës, është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 153 shtetas, konkretisht: 17 janë ndaluar, 42 janë arrestuar, 85 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna e Policisë, dhe me 22 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 7 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 18 raste, prej tyre 8 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, 1 rast ka mbetur në tentativë me autorë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar, 3 të tjerë të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna e Policisë, si dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të të proceduar në gjendje të lirë; për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 13 raste, me 8 shtetas të arrestuar, 4 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 27 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Vetëgjyqësia”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Dhënia e informatave sekrete”, “Sigurimi i informatave”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”, me 3 shtetas të arrestuar.
Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprimtarive penale në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të arrestuar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 18 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 30 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 27 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 12 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.