Raporti 48-orësh i ngjarjeve, 23, 24 prill 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVKM Vlorë – Vijon operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së. Operacioni i zhvilluar nga DVKM Vlorë në bashkëpunim me Repartin Special “Delta”, Komisariatin e Policisë Himarë dhe Seksionin e Trafiqeve në DVP Vlorë. Transportonin me një mjet furgon, 29 emigrantë, vihen në pranga 4 shtetas nga Shkodra, ku 3 prej të cilëve lëviznin me një automjet tjetër privat për të monitoruar rrugën, për prezencë të shërbimeve të Policisë. Sekuestrohen 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe celularët e të arrestuarve. Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta” dhe strukurat e DVP Vlorë, në vijim të operacionit policor të koduar “Border”, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin drejt vendeve të BE-së, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit F. H., 48 vjeç, M. F., 32 vjeç, B. F., 18 vjeç dhe K. Q., 36 vjeç, të katërt banues në Shkodër. Të 4 këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 29 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Shtetasi B. F. drejtonte furgonin me të cilin transportoheshin emigrantët, ndërsa 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, lëviznin me një automjet tjetër, me qëllim monitorimin e rrugës së kalimit nga Saranda drejt Shkodrës, për të shmangur shërbimet e Policisë. 2 automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Vau i Dejës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vigu”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër. Lëvizte me armë zjarri me vete, në zonën ku banonte, duke shkaktuar panik te banorët, falë reagimit të menjëhershëm, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 25-vjeçarin. 25-vjeçari, i dyshuar më parë, për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohet një armë zjarrit kallashnikov. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se në fshatin Vig, një shtetas lëvizte me armë zjarri me vete, në zonën ku banonte, duke shkaktuar panik te banorët, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti, dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigu”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi, E. N., 25 vjeç, banues në Vig. 25-vjeçari dyshohet se më parë ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra fishekësh. Në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat hetimore të Komisiariatit të Policisë Vau i Dejës dhe ato të DVP Shkodër, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Kakavijë, Gjirokastër – Tentoi të kalonte kufirin me Greqinë, duke patur në çantë, lëndë narkotike kanabis, Policia Kufitare arreston në flagrancë 31-vjeçarin nga Kosova. Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në kuadër të intensifikimit të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, në dalje të RSh-së, kanë goditur një rast të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në çantën e shtetasit G. Sh., shërbimet e Policisë Kufitare gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin G. Sh., 31 vjeç, banues në Kosovë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Vlorë – Finalizohet nga Sektori Operacional i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Limit”. I dënuar me 8 vjet burgim në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Vlorë dhe arrestohet provizorisht, 51-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shërbimet e DVP Vlorë dhe ato të Interpol Tiranës, në vijim të operacioneve të përbashkëta me partnerët europianë, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Limit”, si rezultat i të cilit u kap në lagjen “Pavarësia”, Vlorë dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi Besnik Osmëni, 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Apelit e Mesinas, Itali, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe me agjencitë ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin e 51-vjeçarit, drejt Italisë.
DVP Elbasan/Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. U paraqit për të marrë mjekim në spital, i dyshuar i dëmtuar me material xhami, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari, pasi inskenoi ngjarjen dhe dha deklaratë të rremë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin K. P., 26 vjeç, banues në Elbasan, pasi pasditen e djeshme është paraqitur për të marrë mjekim në spitalin e Elbasanit, dyshohet i dëmtuar nga një material xhami, dhe gjatë marrjes në pyetje, dyshohet se për të penguar zbulimin e së vërtetës, ka inskenuar ngjarjen dhe ka dhënë deklaratë të rremë, duke pretenduar se ishte dëmtuar në një ambient privat (palestër). Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin K. P., 33 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë menaxher i këndit të lojërave të qytetit të Elbasanit, si dhe shpallën në kërkim shtetasin F. L., 61 vjeç, pronar i këtij këndi lojërash, pasi dyshohet se është dëmtuar në njërën nga pajisjet e këtij biznesi, jashtë rrezikut për jetën, roja i këtij ambienti, shtetasi L. X., 44 vjeç. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 44-vjeçari punonte në këtë biznes, i pasiguruar. Vijon puna për kapjen e 61-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
DVP Vlorë/Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, pë vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u ndalua shtetasi T. K., 42 vjeç, banues në Sarandë, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër, e ka dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit S. J., 32 vjeç, banues në fshatin “Armen”, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, ka vjedhur pasqyrat e 5 automjeteve, të parkuara në atë lagje. Shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet për kapjen e shtetasit S. J. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Qeparo, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, në fshatin Qeparo, ka aksidentuar një fëmijë rreth 2 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Game over 4”. Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, një rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali. Vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen 4 aparate celulare. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të vënies së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over 4”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. I., 30 vjeç, K. K., 34 vjeç, K. K., 26 vjeç, L. B., 53 vjeç, të katërt banues në Tiranë. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, të ushtruara nga shërbimet e Policisë, këta shtetas u kapën në flagrancë, në një lokal në rrugën “Robert Shvarc”, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Gorishova”. Sekuestrohen lëndë narkotike, armë sportive, armë e ftohtë dhe fishekë luftarak. Mbanin në banesa armë, municion, lëndë narkotike kanabis dhe mjete për ndarjen e saj me qëllim shitjen, arrestohet në flagrancë 31-vjeçari dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, kushëriri i tij. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gorishova”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 31 vjeç, banues në Fier dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar (kushëri i të arrestuarit). Gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike që dyshohet se shërbente për ndarjen e lëndës narkotike, me qëllim shitjen, 1 armë sportive, 1 armë të ftohtë, 5 krehra dhe 23 fishekë luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin M. T., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, sasi të vogla lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin P. B., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kapën shtetasin në kërkim A. Ç., 36 vjeç, banues në Kavajë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me dy muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. K., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Në Komisariatin e Policisë Nr. 4 është paraqitur shtetasja K. P., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ka kallëzuar se është larguar nga banesa vëllai i saj, shtetasi J. P., 27 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
DVP Fier – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 60 vjeç, banues në Hekal, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (kosore), shtetasin R. B., 61 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë ndaluan shtetasin B. D., 36 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Po këta specialistë referuan materialet në Prokuroi dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, i cili dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në banesën e shtetases F. S., në fshatin Çermë Sektor. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. K., 27 vjeç, banues në Libofshë, pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit, ka kanosur ish-bashkëjetuesen e tij. Vijon puna për kapjen e 27-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Platforma”. Falë veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 15.04.2023, në Durrës, ku për shkak të një konflikti në rrjete sociale, u plagosën lehtë, me armë zjarri, 2 shtetas. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga njëri nga bashkautorët e dyshuar të këtij rasti, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë. Kërkimet vijojnë për kapjen e bashkautorit tjetër, të shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe operacionale, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 15 prill 2023, në Durrës, bazuar në provat e siguruara, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Platforma”. Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim Sh. K., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Platforma”, dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 15.04.2023, në lagjen nr. 10, Durrës, për shkak të një konflikti në rrjetin social TikTok, shtetasit Sh. K. dhe K. M. kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, shtetasit I. V., A. H. dhe M. V., të cilët qarkullonin së bashku, në një automjet. Nga të shtënat u plagosën lehtë shtetasit I. V. dhe A. H. Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit K. M. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Dibër/Vidhte në banesa dhe në dyqane, kapet e vihet në pranga 28-vjeçari. Zbardhen dy vjedhje të kryera nga ky shtetas. Në momentin e kapjes, shërbimet e policisë i gjetën një sasi lënde narkotike canabis sattiva. Vijon puna hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të dyshuara të kryera më parë nga ky shtetas. Në vijim të punës për parandalimin e rasteve të vjedhjes së pronës e pasurisë dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që kishte kryer vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat u kap dhe u arrestua shtetasi F. K., 28 vjeç, banues në Dibër. Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe provat e sekuestruara, dyshohet se 28-vjeçari, është autori i vjedhjes së dyqanit të shtetasit A.S., dhe i vjedhjes së banesës të shtetasit A.M., në qytetin e Peshkopisë. Në momentin e kapjes shërbimet e policisë, i gjetën 28-vjeçarit të fshehur në trup, një sasi lënde narkotike canabis sattiva. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.
Skrapar – Qëlluan me armë zjarri pas një konflikti, braktisën automjetin gjatë ndjekjes nga Policia dhe u larguan në një zonë të pyllëzuar, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy 19-vjeçarë. Në Çorovodë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. G., 19 vjeç në bashkëpunim me shtetasin F. Ç., 19 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit I. D., 19 vjeç, i cili në momentin e qëllimit, ishte jashtë automjetit. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar. Falë reagimit të shpejtë të Policisë, u bë i mundur identifikimi i autorëve të këtij rasti, të cilët kur kanë konstatuar se po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në një zonë të pyllëzuar. Shërbimet e Policisë vijojnë ende ndjekjen e tyre dhe kontrollin e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Shkodër – Qëlloi me armë zjarri, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në drejtim të një marketi në fshatin Grudë e Re, identifikohet dhe shpallet në kërkim 27-vjeçari, banor i këtij fshati. Vijon kontrolli i zonës me qëllim kapjen e 27-vjeçarit. Rreth orës 02:45 të mëngjesit të sotëm, shtetasi T. M. ka njoftuar sallën operative të DVP Shkodër se ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të marketit të tij, gjatë kohës që ky biznes ka qenë mbyllur. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, një grup i posaçëm hetimor ka mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e plotë të këtij rasti. Falë veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi L. L., 27 vjeç banues në fshatin “Grudë e Re”. Nga hetimet paraprake dyshohet se disa ditë më parë 27-vjeçari ka tentuar të vjedhë në marketin e shtetasit T. M dhe se ky ka qenë motivi i qëllimit me armë zjarri në drejtim të këtij marketi. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar, pasi në momentin e qëllimit, marketi ka qenë mbyllur. Vijojnë kontrollet për kapjen e 27-vjeçarit, si dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Kapshticë – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Pragu”. Sekuestrohen rreth 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë. Tentuan të trafikonin sasi drogash të forta, drejt Greqisë, teksa udhëtonin me kamion, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (drejtues dhe pasagjer në këtë automjet). 4 pakot me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë iu gjetën të fshehura në trup dhe në çantë pasagjerit. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut dhe të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, operacionin policor antidrogë të koduar “Pragu”. Falë shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me strukturat e DVP Korçë, shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion tip “Man”, me drejtues shtetasin D. T. dhe pasagjer shtetasin M. K. Nga kontrollet e imtësishme në kamion dhe ndaj këtyre shtetasve, u gjetën 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe heroinë (rreth 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë), të cilat i kishte fshehur në trup, pasagjeri në këtë automjet, shtetasi M. K. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit D. T., 36 vjeç dhe M. K., 29 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, sasitë e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Kavajë/Informacion paraprak – Më datë 23.04.2023, është marrë njoftim nga anëtarët e KZAZ Nr. 42, në Kavajë, se është dëmtuar dera hyrëse e kësaj KZAZ-je, në shkollën “26 Marsi”, shkollë aktualisht jashtë funksionit. Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe kanë kaluar në vendngjarje dhe nga hetimet e para paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, nuk është konstatuar mungesë apo dëmtim i ndonjë sendi dhe dokumentacioni i KZAZ. Nga hetimet paraprake dyshohet se dera është hapur me forcë nga disa të mitur, që frekuentojnë ambientet e shkollës mbasditeve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
Korçë/Informacion paraprak – Më datë 24.04.2023, rreth orës 03:45, në lagjen nr. 5, rruga “10 Korriku”, ka rënë zjarr në automjetin tip “Volksëagen” në pronësi të shtetasit M. A., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili ishte i parkuar. Nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë të banesës, nuk janë konstatuar lëvizje të ndonjë personi të dyshimtë apo ndonjë veprim i kryer ndaj mjetit. Paraprakisht dyshohet se zjarri në mjet, mund të ketë rënë për shkaqe aksidentale (shkëndijë elektrike). Grupi hetimor po punon për përcaktimin e plotë të shkakut të rënies së zjarrit.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin S. S., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin S. C., 26 vjeç, banues në Suedi, pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin O. K., 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin A. Sh., 45 vjeç, banues në Kavajë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin F. Ç., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, nën efektin e alkoolit. Më datë 23.04.2023, rreth orës 19:30, në Yzberisht, është djegur një motomjet jo funksional, pa targa. Nga veprimet hetimore dyshohet se autorët janë dy shtetas të mitur 13 vjeç. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi E. R., 33 vjeç, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa vajza e tij 13 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj. Në Komisariatin e Policisë Nr. 6 është paraqitur shtetasi B. K., 56 vjeç, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa vëllai i tij, shtetasi M. A., 60 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij.
Sarandë/Finalizohet një tjetër operacion për goditjen ndaj veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së. Operacioni policor i koduar “Border 4”, i zhvilluar nga Policia Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Frontex-in dhe Komisariatin e Policisë Sarandë. Transportonte me një automjet, 10 emigrantë, vihet në pranga 34-vjeçari. Sekuestrohet automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët. Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Frontex-in dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 4”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi B. S., 34 vjeç, banues në Kosovë. Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë operacionit, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, në aksin rrugor Xarrë-Sarandë, teksa transportonte kundrejt fitimit, me 1 automjet tip “BMË”, 10 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Automjeteti i përdorur nga ky shtetas për këtë veprimtari kriminale, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Elbasan/Më datë 24.04.2023, është gjetur në banesë, nga familjarët, pa shenja jete, shtetasi Xh. Z., 29 vjeç, banues në Elbasan. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 29-vjeçari ka ndërruar jetë për shkak të konsumimit të lëndeve narkotike. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.
Gjatë 48 orëve, në të gjithë vendin, janë proceduar penalisht 100 shtetas, konkretisht: 39 janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Vijon puna intensive me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me 2 autorë të shpallur në kërkim, ndërsa për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentur 5 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Janë ecidentuar 2 raste të lojërave të fatit, me 4 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 16 raste, 9 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 13 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Gjithashtu, janë evidentuar:
-nga 1 rast i veprave penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Keqtrajtimi i kafshës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast;
-1 rast i veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 4 shtetas të arrestuar; 1 rast i kontrabandës së mallrave dhe 1 rast i deklaratës së rreme, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm të kufirit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast;
-1 rast i veprës penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, me autorë ende të paidentifikuar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 18 shtetas. Janë evidentuar në total 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 9 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.