Raporti 24-orësh i ngjarjeve, 4 maj 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Karrotreci”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Vodhi një automjet dhe një motomjet, vihet në pranga 38-vjeçari. Procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër, për përvetësim të mallrave të vjedhura. Sekuestrohen automjeti i vjedhur dhe motomjeti i vjedhur, si dhe një aparat celular. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Karrotreci”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., 36 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi E. B. dyshohet se është autor i dy vjedhjeve të ndodhura gjatë javës së fundit, konkretisht më datë 27.04.2023, në rrugën “Hoxha Tahsim”, dyshohet se ka vjedhur me një karrotrec, automjetin e shtetases T. N., ndërsa më datë 03.05.2023, në rrugën “28 Nëntori”, dyshohet se ka vjedhur motomjetin e shtetasit A. H., të cilin më pas ia ka shitur shtetasit F. S. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i vjedhur dhe motomjeti i vjedhur, si dhe një aparat celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reset”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua nga Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe Forca e Posacme Operacionale, në DVP Vlorë. Sekuestrohen 104 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Vihet në pranga 48-vjeçari, drejtuesi i automjetit që transportonte 10 pakot me lëndë narkotike. 48-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, se një sasi e madhe lënde narkotike kanabis po transportohej me një automjet tip “Chrysler”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reset”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi K.(N.). S., 48 vjeç, banues në Vlorë. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i automjetit, sapo ka vënë re se po ndiqej nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi, por pas disa minutash ndjekje është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në fshatin Novosel. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Chrysler”, në bagazh, u gjetën 10 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. me peshë totalë 104 kilogramë. Pakot me kanabis u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 1 aparat celular. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin O. D., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin K. Xh., 56 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fier/Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 30 vjeç, banues në Patos, pasi gjatë kontrollit personal dhe gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kanabis dhe një sasi metadoni të lëngshëm, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin A. M., 20 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një përforcues grushti. Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. Xh., 32 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se në Fier, i ka vjedhur çantën e shpinës me një shumë lekësh dhe dokumentash në të, një shtetasi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin V. H., 28 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka marrë me qira 1 automjet në Lushnjë, dhe nuk e ka kthyer më. Punohet për kapjen e 28-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Librazhd – U kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, duke vjedhur në një market, vihet në pranga 33-vjeçari, gjatë operacionit policor të koduar “Gracka”. 33-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Zbardhen 4 raste të tjera të vjedhjeve, të kryera nga ky shtetas, gjatë 3 muajve të fundit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe për vënien përpara përgjegjësise penale të autorëve të tyre, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që vidhte me thyerje në banesa dhe nëdyqane, në kuadër të operacionit policor “Gracka”, kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë, shtetasin K. Q., 33 vjeç, banues në Librazhd, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, duke vjedhur në një market ku kishte mundur të hynte pasi kishte thyer derën, me sende të forta. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, ka kryer edhe disa vjedhje të tjera në qytetin e Librazhdit, konkretisht: Më datë 24.04.2023, ka vjedhur 2 varëse floriri, në një banesë; Më datë 24.03.2023, dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, ka vjedhur një shumë parash, në kasafortën e një servisi; Më datë 18.02.2023, ka vjedhur bizhuteri të ndryshme, në një banesë;-Më datë 04.02.2023, ka vjedhur një shumë parash, në një dyqan. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të kryer ky shtetas, si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Qafë Thanë/Pogradec – Tentoi të ndihmonte një shtetase të mitur, kundrejt pagesës, që të kalonte ilegalisht kufirin e gjelbër me Maqedoninë e Veriut, vihet në pranga 37-vjeçari. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, ndaluan me iniciativë shtetasin J. K., 37 vjeç, banues në Pogradec. Ky shtetas është kapur si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë Kufitare, në kufi të gjelbër, duke tentuar që të kalonte në mënyrë të paligjshme, drejt territorit të Maqedonisë së Veriut, një 15-vjeçare, kundrejt pagesës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi eurosh, një celular dhe një automjet në pronësi të shtetasit J. K., me të cilin dyshohet se do të transportonte të miturën. Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë rast. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin S. A., 33 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq, pasi në qytetin e Korçës, u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Stropckë, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 28-vjeçar dhe i ka dëmtuar xhamin e automjetit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 25 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 27-vjeçare. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjëndje të lirë për shtetasit: Sh. H., 65 vjeç, pasi dyshohet se ka shkelur urdhrin e mbrojtjes të caktuar nga Gjykata, për bashkëshorten e tij, duke shkuar në banesën e saj. D. L., 35 vjeçe, pasi ka kanosur me fjalë dhe ka goditur fizikisht, për motive të dobëta, shtetasen K. L. Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi shtetasi S. C., 38 vjeç, ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, në efektin e alkoolit, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me disa automjete të parkuara. Shtetasi S. C. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tepelenë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë shpallën në kërkim shtetasin Sh. H., 53 vjeç, banues në fshatin Kalivaç, Memaliaj, pasi kanë bërë kallëzim familjarët e tij se ky shtetas që prej datës 07.04.2023, është larguar për në shtetin grek dhe ka humbur kontaktet me familjarët. Vijon puna për gjetjen e tij.
Berat – Më datë 03.05.2023, në Komisariatin e Policisë Berat, ka bërë kallëzim shtetasja N. R., 61 vjeçe, se më datë 02.05.2023, është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, vajza e saj, shtetasja M. A., 30 vjeçe. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për gjetjen e 30-vjeçares.
Gjatë 24 orëve, në të gjithë vendin, janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 15 janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Vijon puna intensive me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 13 raste, 7 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale “Përndjekja” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, në total.
Gjithashtu, janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale:
-“Shpërdorimi i detyrës”, “Nderhyrje të padrejta në jetën private”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast;
– “Ngacmimi seksual” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me nga 1 shtetas të arrestuar për secilin rast.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 4 shtetas. Janë evidentuar në total 3 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.