Qarku Vlorë/ Gjatë 12 orëve të fundit finalizohen 2 operacione policore, nga strukturat e DVP Vlorë.
Operacioni policor i koduar “Bags”, nga Komisariati i Policisë Sarandë/Goditet 1 rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, drejt Greqisë, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen rreth 5 kg kanabis.
Operacioni policor i koduar “Electronics”, nga Komisariati i Policisë Vlorë/Zbardhen 2 raste të vjedhjes. Vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.
Sarandë/Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe nga inteligjenca informative se 2 shtetas po tentonin të trafikonin lëndë narkotike nga Konispoli në drejtim të Greqisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bags”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve P. B., 42 vjeç, banues në Greqi dhe S. Q., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Pas lokalizimit të këtyre 2 shtetasve, në lagjen nr.3, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në dy çantat që ata kishin me vete, në të cilat kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndarë në 4 pako.
Vlorë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Electronics”, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi B. Ll., 36 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe u procedua penalisht shtetasi F. A., 36 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shtetasi B. Ll., në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, dyshohet se më datë 07.11.2022, ka vjedhur disa pajisje elektronike, në një dyqan, në lagjen “Pavarësia 3”, si dhe më datë 03.11.2022 ka tentuar të vjedhë në një dyqan tjetër me pajisje elektronike, në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet për këto raste i kaluan Prokurorisë Sarandë dhe Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.