Qarku Korçë – Vihen në pranga 5 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim A. S., 38 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec, me vendimin e datës 13.07.2020, e ka dënuar me 1 muaj burg, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Komisariati i Policisë Pogradec.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. A., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë, pasi në dalje të qytetit të Pogradecit, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi. Forcat e Policisë janë venë në ndjekje të tij, pasi kishin dyshime se 28-vjeçari po transportonte kundrejt fitimit, emigrantë të paligjshëm në drejtim të Tiranës. Gjatë ndjekjes nga Policia, për shkak të shpejtësisë, në afërsi të fshatit Udënisht, shtetasi B. A., është përplasur me barrierën anësore të rrugës, duke shkaktuar dëme materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve J. N., 41 vjeç dhe S. S., 38 vjec, banues në Ersekë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi në qytetin e Ersekës, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, në momentin e shoqërimit të tyre për në ambientet e Komisariatit, për sqarimin e një konflikti që kishin pasur këta shtetas, me një person tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. N., 36 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizikë ndaj gjyshes së tij shtetases Ll. T., 84 vjeçe, banuese në Pogradec.

Në vijim të informacionit paraprak datë 04.08.2022, i cili bën fjalë për dëmtimin e një 17-vjeçari me mjet prerës, gjatë një konflikti fizik, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për katër shtetas të mitur, të moshës 15-16 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi në lagjen nr.10, Korçë, këta shtetas për motive të dobëta, kanë goditur me grushte dhe me mjet prerës 17-vjeçarin, i cili pas mjekimit të marrë në Spital u largua në banesë.

Më datë 03.08.2022, gjatë natës, në vendin e quajtur “Virk”, Ersekë, ka rënë zjarr në një pyll me pisha, ku për pasojë janë djegur 1.2 hektarë me bimësi. Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se zjarri mund të ketë rënë aksidentalisht. Po punohet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.