Qarku Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër

Qarku Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan shtetasin në kërkim K. M., 38 vjeç, banues në Tiranë, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Hudënishti”, zhvilluar më datë 13.09.2021, pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, tentoi të trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin A. F., 53 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjet një sasi me lëndë pesticide e dyshuar e kontrabanduar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët e strukturave hetimore të DVP Korçë, të cilët arrestuan në flagrancë 53-vjeçarin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 28 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi dyshohet se ka goditur me grushte, për motive të dobëta, një 43-vjeçar, në një lokal, në lagjen nr. 5, Pogradec.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.