Port Durrës / Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në PKK Port Durrës.
Fshehu në furgonin që drejtonte, 16 670 euro, me qëllim mosdeklarimin e tyre në PKK Port Durrës, procedohet penalisht 48-vjeçari dhe sekuestrohet shuma e parave.
Shërbimet e PKK Port Durrës, në kuadër të kontrolleve të pandërprera për goditjen e paligjshmërive në kufi, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin furgon, me drejtues shtetasin F. V.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në automjetin që drejtonte ky shtetas dhe sekuestruan 16 670 euro, të padeklaruara nga 48-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. V., 48 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.