Policia Rrugore Lezhë/Monitorim intensiv i qarkullimit, në të gjitha akset rrugore të qarkut

‍♀️Policia Rrugore Lezhë/Monitorim intensiv në të gjitha akset rrugore të qarkut, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë kanë vijuar monitorimin e pandërprerë të qarkullimit rrugor në të gjitha akset e qarkut, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirshme dhe pa ndërprerje të mjeteve, pavarësisht fluksit shumë të lartë të qarkullimit gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore kanë qenë në mbështetje të përdoruesve të rrugës, duke ndërhyrë dhe ofruar asistencë në çdo rast nevoje.

Në fokus të punës së Policisë Rrugore Lezhë, përgjatë muajit gusht, ishin evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, me shpejtësi tej normave të lejuara, kryenin parakalime të gabuara, si dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Si rezultat i kontrolleve parandaluese, gjatë muajit gusht:

12 drejtues mjetesh janë referuar në Prokurori për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, konkretisht 5 të arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi;

4 drejtues mjetesh janë arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;

2806 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masë administrative për tejkalim të normave të lejuara të shpejtësisë, ndërsa 529 prej tyre janë ndëshkuar edhe me masë plotësuese, pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje pikësh;

2059 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara;

214 drejtues automjetesh dhe motomjetesh janë ndëshkuar për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Kontrollet e Policisë Rrugore Lezhë do të vijojnë pa ndërprerje në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me përdorimin e mjeteve bashkëkohore logjistike, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore Lezhë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin shpejtësinë, alkoolin dhe çdo sjellje që rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës.

Ftojmë qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

#ZbatoRregullatEQarkullimit
#MbroJetën
#RespektoKëmbësorët
#StopShpejtësiAlkoolCelular