Drejtoria e Policisë Rrugore
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, nisur dhe nga shtimi i fluksit të automjeteve, Drejtoria e Policisë Rrugore ka shtuar masat në të gjithë vendin, duke rritur monitorimin me mjete inteligjente, të lëvizjes së automjeteve të pushuesve drejt plazheve dhe kthimin e tyre në destinacion, si dhe duke shtuar patrullat e lëvizshme përgjatë këtyre akseve, për bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, që janë të planëzuara në zonat bregdetare.
Gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, nga Policia Rrugore, si rezultat i shtimit të kontrolleve me mjetet inteligjente, radarët automatikë, dronët, dragerat dhe së fundi edhe teleskopët, për të evidentuar përdoruesit e celularit, gjatë drejtimit të automjeteve:
-janë pezulluar 121 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim mjeti në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 31 drejtues mjetesh, nga këta 24 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe është goditur një rast i tentativës për të korruptuar punonjësin e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vënë 26 841 masa administrative, nga këto:
- 7632 për shpejtësi tej normave të lejuara, por pa masën plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit;
- 1356 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
- 1468 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
- 1846 për parakalime të gabuara;
- 857 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
- 435 për shpejtësi dhe manovra të rrezikshme në rrugë;
- 248 për drejtim mjeti/motomjeti në efektin e alkoolit;
- 10711 për parkim të gabuar;
- 2288 për shkelje të ndryshme.
Edhe gjatë javës së ardhshme, shërbimet e Policisë Rrugore do të vijojnë intesivisht monitorimet në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjetet inteligjente dhe bazën logjistike bashkëkohore që kanë në dispozicion, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për përdorim të rrugëve alternative, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në qendrat urbane dhe akset nacionale.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.