162 leje drejtimi të pezulluara, gjatë disa orëve kontroll në rrugët e qytetit të Durrësit.
Vijojnë kontrollet intensive duke përdorur makinën inteligjente dhe makinat me radarë, që punojnë në lëvizje dhe me lexuesit automatikë të targave.
Nga pasditja e djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, makina inteligjente dhe automjetet e paloguara, të cilat janë të pajisura me radar dhe lexues automatikë të targave, kanë monitoruar qarkullimin e automjeteve, në rrugët e qytetit të Durrësit.
٠Si rezultat i kontrolleve, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Durrës, u konstatuan nga makina inteligjente, 162 drejtues mjetesh të cilët qarkullonin me shpejtësi nga 77 km/orë deri në 105 km/orë, në rrugët e qytetit të Durrësit, ku tabela lejonte jo më shumë se 40 km/h.
Drejtuesve të automjeteve u është pezulluar leja e drejtmit, nga 3 deri në 11 muaj, si dhe janë ndëshkuar me masa administrative nga 15.000 lekë deri në 40.000 lekë të rinj.
٠34 drejtues mjetesh janë evidentuar, nga makina inteligjente, duke qarkulluar edhe pa rrip sigurimi, përveç qarkullimit me shpejtësi tej normave të lejuara.
٠36 drejtues mjetesh janë evidentuar, nga makina inteligjente, se përdornin celularin gjatë drejtimit të mjetit, përveç qarkullimit me shpejtësi tej normave të lejuara.
Nga lexuesit automatikë të targave janë identifikuar 18 automjete të shpallura “Alert”, të cilat janë ndaluar më pas nga shërbimet policore të DVP Durrës.
Nga makinat me radarë në lëvizje janë konstatuar 23 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 60 deri në 80 km/h në rrugët e brendshme të qytetit, ku tabela lejonte jo më shumë se 30 km/h. Drejtuesit e këtyre automjeteve janë ndaluar nga patrullat e tjera dhe janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit.
Drejtoria e Policisë Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, duke iu garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.