Policia Rrugore e Tiranës ndëshkon me masë administrative drejtuesit e motomjeteve që lëvizin në korsitë e biçikletave

Vijon puna e rrugorëve të kryeqytetit për dokumentimin e drejtuesve të motomjeteve dhe çiklomotorëve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke u bërë rrezik për vete dhe për çiklistët, pasi qarkullojnë në korsitë e rezervuara për këta të fundit.

Nisur nga rreziku dhe tendenca e motoçiklistëve për të qarkulluar në korsitë e rezervuara për biçikleta, efektivët e Policisë Rrugore të kryeqytetit, prej ditësh monitorojnë dhe dokumentojnë të gjitha rrugët që janë të pajisura me korsi të dedikuara.

Në funksion të kontrolleve parandaluese janë dokumentuar dhe proceduar me masë administrative 145 drejtues çiklomotorësh dhe motomjetesh për qarkullim në korsitë e rezervuara për biçikleta apo në trotuar, 198 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse, 45 të tjerë për mangësi në dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim, si dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë, pasi janë verifikuar të papajisur me leje drejtimi.