Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë ushtruar kontrolle dhe monitorime përgjatë akseve rrugore dhe në brendësi të qytetit të Elbasanit.
Si rezultat i kontrolleve intensive janë pezulluar 18 leje drejtimi, për periudha nga 1 muaj deri në 11 muaj, për shpejtësi deri në 157 km/orë. Gjithashtu, janë vendosur 73 masa administrative deri në 4000 lekë të rinj po për qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.
Janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative, 23 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 34 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 29 për mospërdorim të rripit të sigurimit, 21 për parakalime të gabuara dhe 42 masa janë vendosur për mosdhënie përparësi këmbësorëve në vijat e bardha.
Gjatë monitorimit, punonjësit e Policisë Rrugore të DVP Elbasan, të cilët përdorin makinën inteligjente dhe radarët automatikë, janë shprehur:
Inspektor Enea Merdani: ”Jemi vendosur në bulevardin kryesor të qytetit. Momentalisht jemi duke monitoruar lëvizjen dhe shpejtësinë e mjeteve që qarkullojnë në bulevard. Kemi pezulluar disa leje drejtimi, për shpejtësi që janë nga 70 km/orë-90 km/orë dhe kemi vendosur edhe masa administrative për shkelje të neneve 140/7 dhe 140/8 të Kodit Rrugor, të cilat ndëshkohen vetëm me masa administrative, pa penalitete. Shkelje flagrante janë rastet kur drejtuesit e motomjeteve nuk përdorin kaskën mbrojtëse dhe kanë edhe shpejtësi të lartë gjatë lëvizjes. Shkelje të tjera që hasim janë mosrespektimi i përparësisë së këmbësorëve në vijat e bardha, përdorimi i aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, mospërdorimi i rripit të sigurimit, si dhe qarkullimi me shpejtësi mbi normën e lejuar. Numri më i lartë i shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve, evidentohet gjatë orëve të natës dhe gjatë orëve të para të mëngjesit.”
Inspektore Dorina Çipi: “Aktualisht jemi duke patrulluar në aksin rrugor “Elbasan-Rrogozhinë”. Shkeljet më të shpeshta në këtë aks janë parakalimi i gabuar, tejkalimi i shpejtësisë mbi normën e lejuar, mospërdorimi i rripit të sigurimit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe përdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit. Ky aks ka shumë degëzime dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore, ne e monitorojmë jo vetëm me makinën inteligjente, por edhe me radarët automatikë, si dhe me patrullat e lëvizshme me makina të paloguara. Apelojmë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të qëndrojnë në rradhë në raste fluksi, të mos kryejnë parakalime të gabuara, si dhe në çdo rast tjetër të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të udhëtojnë me jetën në mendje. Shpejtësia e lejuar në këtë aks është 80 km/orë. Nga makina inteligjente dhe radarët automatikë janë konstatuar shpejtësi deri në 157 km/orë. Shpejtësi të tilla janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.”
Falë masave të marra përgjatë sezonit turistik 2022, krahasuar me sezonin turistik 2021, janë parandaluar aksidentet me pasoja për jetën, me 5 jetë të humbura, më pak.
Janë arrestuar 10 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 9 tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Janë pezulluar 110 leje drejtimi, nga të cilat 43 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 34 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 33 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, janë vendosur gjithsej 4240 masa administrative, për shkelje që janë burim potencial për ngjarje rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, nisur edhe nga fakti që në fundjavë ka më shumë fluks, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
#udhëtomejetënnëmendje 🛣️🚘
#zbatorregullat ✅⚠️
#mbrojetën
#respektokëmbësorët 🚶🚸
#STOP ❌shpejtësi ❌alkool❌celular🚘