Punonjësit e Policisë iu vijnë në ndihmë 4 turistëve nga Gjermania që kishin mbetur të bllokuar në Qafën e Pejës, Theth.
Në vendin e quajtur ” Qafa e Pejës “, 4 turistë gjermanë, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në mes të malit ku njëri prej tyre ishte dëmtuar dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Postën e Policisë Theth dhe me shërbimet e emergjencave civile, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.
Shërbimet e emergjencave civile kanë kontrolluar zonën me helikopter dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve.
Turisti i dëmtuar është transportuar me helikopter në spitalin e Traumës, Tiranë për ndihmë mjekësore.
Falë punës së mirëorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e 3 turistëve të tjerë nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.
Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.
Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.