Policia e Shtetit- Vijon operacioni ndërkombëtar policor “PICASO”. Shkon në 10 numri i personave të arrestuar dhe proceduar, për vjedhje në Belgjikë.

Kapet dhe arrestohet nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Krimin ndaj Pronës në D.V.P Tiranë dhe Task Forcën “Antiskifter” një tjetër i kërkuar në kuadër të operacionit “PICASO”.

Në vijim të operacionit të përbashkët ndërkombëtar policor “PICASO”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person në kërkim ndodhej në rrugën “Qemal Stafa”, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:

– K. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Vjedhja e kryer më shumë se një herë, në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”.

Ndaj këtij personi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg pa afat”.

Ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin Nr. 69, datë 25.04.2019, bazuar në aktet e procedimit penal Nr. 44, viti 2018 (çelur në zbatim të një letër-porosie, dërguar nga autoritet ligjzbatuese të Belgjikës që në daten 28.02.2018) ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Nga Task Forca “Antiskifter” është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”.

Sipas letër-porosisë, nga hetimet e kryera në Belgjikë ka rezultuar se prej muajit dhjetor 2017 një grup shtetasish shqiptarë me qëndrim të përkohshëm në Belgjikë po kryenin vjedhje me thyerje të banesave dhe objekteve të tjera. Konkretisht këta persona pasi vidhin në banesa vlera monetare dhe sende me vlerë si flori etj, i dërgonin ato në Shqipëri.

Në kuadër të operacionit janë kapur katër shtetas shqiptarë në Shqipëri dhe 6 shtetas të tjerë shqiptarë në Belgjikë. Ndaj këtij grupi kriminal drejtësia belge ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.